Shqipëria

Rama pas dëshmisë për Inceneratorët: Një angazhim përtej moshës time politike


“Ishte një maratonë që vlejti. U dëgjuan të gjithë ato që kishin për të dëgjuar. Kush ka sy le të shohin, kush ka veshë të dëgjojë dhe kush do le të kuptojë. Kush nuk do, nuk do. Bëhet fjalë për një angazhim shumë përtej moshës time politike”.

Këtë deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrëmjen e 23 shkurtit para medias pas dëshmisë së tij dhjetë orë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

Ai shtoi se akuzat e anëtarëve të Partisë Demokratike dhe Kryetares së Komisionit Jorida Tabaku për 430 milionë euro shpenzime nga buxheti i shtetit, “nuk ekziston një gjë e tillë”.

“Bëhet fjalë që është deri në vitin 2047 për të vazhduar të paguhet mbledhja, përpunimi dhe transformimin në energji. Nuk është se është sot në arkën e shtetit apo ka dalë nga arka e shteti”, shtoi Rama.

Të gjitha këto Rama i quajti “farsë e orkestruar për të baltosur dhe për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë”.

Ndërsa, kreu i qeverisë u ndal dhe te hetimet e Prokurorisë së Posaçme duke e quajtur një linjë tjetër, që ka të bëjë me përgjegjësi individuale të kujtdo që akuzohet se pas shpinës qeverisë, kryeministrit dhe popullit ka bërë korrupsion.

Ai ritheksoi dhe njëherë se kushdo që hyn në marrëdhënie korruptive do të mbajë përgjegjësi individuale dhe prandaj e ka kryer Reformën në Drejtësi, “për të ndarë gjërat”.

“Opozita dhe deputetët kanë detyrën e tyre, qeveria detyrën e saj, prokuroria dhe drejtësia detyrën e vet”, shtoi Rama.

Ndërkaq Rama bëri me dije për mediat se pas mbarimit të hetimeve të SPAK-ut, ai do të takohet me Tabakun në Gjykatë për shpifje. Kështu ai konfirmoi që do e kallëzojë penalisht deputeten e Partisë Demokratike për akuzat që ajo bëri në Komision duke e futur edhe Ramën në skemën e një grupi të strukturuar kriminal për aferën e Inceneratorëve.

Pikërisht për këtë fjalë të Tabakut ai do t’i drejtohet Gjykatës.

“Ajo është e zonja për shpifje. Nuk ndodh që një politikane të angazhohet me publikun për të ngritur akuzën e një grupi të strukturuara kriminal. Jo përpara se të bëhet i gjithë hetimi, jo i komisionit, se ky s’është hetim është një farsë”, e përmbylli Rama fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore