Shqipëria

Rama nderon një gjeneral amerikan për herë të parë


Kryeministri Edi Rama i dorëzoi të mërkurën e 25 majit medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, gjeneralit amerikan Tod Daniel Wolters.

“Hera e parë dhe e fundit që kam kënaqësinë të nderoj një gjeneral”, u shpreh fillimisht Rama.

Komandanti i Komandës Operacionale të NATO-s, sipas tij, ka marrë çdo medalje të mundshme nga qeveria amerikane.

Për këtë arsye, Rama vërejti se shtimi i një nderimi në uniformën e tij është “një privilegj i jashtëzakonshëm”.

Ky ishte momenti më i mirë për të kremtuar aleancën më të çmuar me Shtetet e Bashkuara, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

“Ndonjëherë miqtë tanë evropianë ndjejnë një lloj kureshtjeje se pse shqiptarët janë kaq pro-amerikanë. Nëse disa prej tyre nuk janë familjarizuar me historinë tonë, mund t’iu dukemi budallenj por nuk është kështu”, deklaroi më tej Rama.

Referuar kësaj, kryeministri shqiptar nënvizoi se në këtë moment gjendemi në këtë pjesë historie të lidhur kaq fort “me këtë aleat e këtë mik”.

Kjo, falë një pjese tjetër të historisë që e ndërpreu këtë marrëdhënie, e cila shënjon 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

“Gjenerali Wolters ka një vend të posaçëm mes figurave të nderuara dhe Forcat e Armatosura nuk do të harrojnë mbështetjen e këtij gjenerali, për të transformuar Bazën Ajrore të Kuçovës”, theksoi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore