Shqipëria

Rama me rektorët: Dakordësohet krijimi i Komitetit për Politikat e Arsimit të Lartë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën e 25 majit, ka njoftuar krijimin e Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, nga një takim që ka zhvilluar me rektorët e universiteteve publike.

Rama synon ta kthejë mandatin e tretë në fazën e një hopi të madh, drejt Objektivit Strategjik të Hapjes së Dyerve të Universiteteve shqiptare për Universitetet Publike Evropiane.

Gjithashtu, ai synon dhe krijimin e kushteve, që studentët shqiptarë të marrin në të ardhmen diploma evropiane në Shqipëri.

Reforma e Arsimit të Lartë, autonomia

Më herët, kryeministri Rama e ka cilësuar “Reformën në Arsimin e Lartë” si “ende një e përpjetë”.

Ndërsa ka theksuar dhe reformat “kurajoze në arsimin universitar” me zgjerimin e autonomisë së universiteteve, krijuar dhe kushte të reja për studentët dhe pedagogët.

“Me ligjin e Arsimit të Lartë, ne e kemi shtyrë shumë fort procesin e autonomisë dhe ligji jep një autonomi të madhe për universitetin”, është shprehur Rama gjatë një takimi me pedagogët të universitetit “Luigj Gurakuqi”, më datë 1 prill.

Bashkëpunimi me universitetet e huaja

Gjatë një takimi të zhvilluar më 8 prill, në Gjirokastër, kryeministri i vendit, që fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, tha se “na duhet një bashkëpunim shumë më i afërt” për një qasje shumë më strategjike.

Theksin ai e ka vënë te marrëdhënia me universitetet e huaja, të cilën synon ta kthejë “në një tjetër histori”. Sipas tij, Shqipëria është në një nivel sipërfaqësor me shkëmbime, me programe, por që “janë pa impakt real në thellësi”.

“Ne do të vendosim një fond për të stimuluar universitetet që të ecin më shpejt në këtë drejtim e që do të arrijnë të strukturojnë marrëveshje e marrëdhënie cilësore me universitete të tjera”, ka premtuar Rama më herët, gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit.

Sugjerimet e kryeministrit për reformat e reja në arsimin e lartë

“Shqetësimet, idetë tuaja duhet të përkthehen në një platformë reforme për universitetin, të shkruar, të konsultuar mes jush”, ka thënë Rama, duke sugjeruar që këto shqetësime të ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit.

Theksin e ka vënë dhe në boshllëkun midis shkollës profesionale dhe universiteteve.

“Ne kemi edhe një boshllëk midis pjesës poshtë dhe pjesës lart, domethënë, je ose me një shkollë profesionale, ose bëhesh doktor shkencash”, ka thënë në një takim me pedagogët në Shkodër.

Po ashtu ka sugjeruar që, në mes të këtyre ndarjeve, duhet të krijojmë gjithë brezin e kolegjeve profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore