Shqipëria

Rama: Mbyllim me notë pozitive mandatin e dytë


Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përballë gjithë ministrave të mandatit të dytë qeverisës, ka bërë një bilanc mbi punën e Qeverisë në katër vjet, të cilin e ka cilësuar si një mandat pozitiv, në rrethana shumë të vështira.

Kryeministri e theksoi faktin se katër vitet u diktuan nga dy fatkeqësi të mëdha: tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia botërore e shkaktuar nga COVID-19.

“Jam krenar që ia dolëm me përkushtim, profesionalizëm e durim, në pengesa në rrugën e një qeverie që shfaqen një herë në 100 vjet”, ravijëzoi Rama.

Por, jo e gjithë puna është lëvduar nga kryeministri. Mbi të gjitha, puna në turizëm, përkatësisht në administrimin e plazheve, të cilën ai e përshkroi si “të dështuar”.

“Duhet bërë shumë më shumë, nëse kërkojmë të kapim majat e turizmit botëror brenda dekadës”, tha ai.

Këtu, duke shtuar se më shumë duhet bërë edhe për mjedisin apo mbrojtjen e territorit.

Infrastruktura dhe bujqësia kanë qenë suksese, sipas Ramës.

Mbi të parën, ai theksoi projektet e mëdha rrugore dhe energjetike, si rruga e Arbërit apo dy parqet fotovoltaikë në Karavasta. Të dy këto, më të mëdhenjtë në Ballkan.

Ndërsa sektori bujqësor, ka trefishuar prodhimin brenda një mandati. Qëllimi për kryeministrin, mbetet ai, i cili ka theksuar kahera: Arritja e eksporteve 1 miliard euro.

Ekonomi, Arsim, Kulturë

Për ekonominë dhe financat është bërë shumë, por më shumë duhet të bëhet. Mbi të gjitha, me procesin e fiskalizimit të bizneseve.

Një pjesë e mirë e tyre e ka marrë hapin drejt fiskalizimit, por ende të shumta mbeten bizneset që duhet ta kryejnë.

Ndërsa rritja ekonomike, do të jetë e pranishme, por nuk është i vetmi faktor që do të ndikojë në rritjen e mirëqenies së shqiptarëve. Më shumë duhet bërë për pagat mesatare, të cilat mbeten të ulëta në krahasim me vendet e tjera.

Arsimi është në rrugën e duhur për kreun e Qeverisë, por ka shumë punë për t’u bërë me universitetet. Brenda 2030-ës, duhet të arrihen majat e arsimit rajonal, duke mundësuar bashkëpunime me Universitetet e tjera botërore.

Vëmendje më të madhe duhet të ketë për fëmijët. Që prej çerdheve e kopshteve, duhet investim më i madh për ta. Përfshi këtu edhe mbi sportin shkollor e universitar, i cili për Ramën nuk është ende aty ku duhet.

Kultura është një tjetër pikë e cekur nga Rama. Ajo ka marrë vëmendjen e duhur, por më shumë do të bëhet. Ai vijoi të garantojë edhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, puna për të cilin është e pezulluar për momentin.

Politika e jashtme, për “Ballkanin e Hapur”

Një kapitull i ri në politikën rajonale si nismëtarë për Ballkanin e Hapur, do të merret nga Shqipëria. Nismën “Open Balkan”, Rama e paralelizoi si një vijim të procesit të Berlinit. Kjo, pa pritur edhe tetë vjet të tjera për të marrë aderim në Bashkimin Evropian apo aprovime të tjera.

“Sulmet nga Prishtina dhe Tirana nuk më shqetësojnë fare”, do të vijonte ai përgjigjet për komentet e bëra ndaj nismës “Open Balkan”, se kjo e fundit është një zgjatim i ish-Jugosllavisë. “Puna do të vazhdojë për këtë nismë”.

Gjithsesi, me qeverinë e Kosovës, Rama ka besim se do të vijojë një punë bashkëpunuese shumë e mirë.

Sipas tij, Shqipëria duhet domosdoshmërisht të kthehet në udhëheqëse në politikat rajonale.

Ndërsa Qeveria e re “Rama 3” do të shpallet javën e ardhshme, me gjithë ndryshimet e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore