Shqipëria

Rama mbron vendimin për Xhaçkën: Kushtetuesja nuk mund të urdhërojë si votojnë deputetët


Kryeministri Edi Rama mendon se vendimi lidhur me mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka, që Gjykata Kushtetuese dërgoi në Parlament ishte i pazbatueshëm dhe ai shtoi se Kushtetuesja, nuk mundet të urdhërojë se si votojnë deputetët në Parlament.

Kështu përmendi ai i ftuar në emisionin “Real Story”, teksa komentoi mbi rastin e Xhaçkës.

“Rasti i vendimit për të votuar në parlament nga shumica nuk ka të bëjë fare, zero me Olta Xhaçkën. Rasti i konfliktit të interesit është gjykuar në gjykatë kushtetuese dhe në fund ka mbetur peng i një konflikti midis dy opozitave a tre opozitave, a shtatë opozitave sa janë, që kanë çuar për të njëjtën gjë dy ankesa të ndryshme, dhe gjykata kushtetuese në një farë mënyre ka dashur që ti japë përgjigje edhe njërës edhe tjetrës dhe ka sjellë për parlamentin një vendim të pazbatueshëm”, përmendi ai.

Po ashtu, ka arsyetuar edhe pse sipas tij vendimi është i pazbatueshëm. Rama e lidh këtë me faktin që Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë ligjet që bën parlamenti për mos përputhje me Kushtetutën.

Por, nga ana tjetër, nuk mundet të urdhërojë deputetët se si të votojnë.

“Është teorikisht dhe teknikisht e pamundur. Sepse vota e çdo deputeti është sovrane”, komentoi kryeministri.

Çfarë ndodhi në Parlament?

Mandati i Olta Xhaçkës nuk do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim në themel.

Kështu është vendosur me votat e Parlamentit, ku deputetët socialistë e kanë “shpëtuar” kolegen e tyre, me 72 votat e tyre kundër.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Vetë Xhaçka, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke mbrojtur kauzën e saj.

Xhaçka ka theksuar se familja e saj dhe bashkëshorti, Artan Gaçi nuk kanë përfituar asgjë, duke thënë se akuzat janë shpifje.

Ish-ministrja tha se kompania e Gaçit ka marrë statusin e investitorit strategjik njëjtë si shumë investitorë të tjerë, ndërsa tha se nuk ka pasur asnjë shkelje.

Ajo theksoi se Kuvendi s’ka çfarë të votojë sot, pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë se nuk është në konflikt interesi.

“Për t’i vënë kapakun, nga leckat e topit të opozitës diskutohet sikur do të votohet sot për të më mbajtur në këmbë apo jo. Çështjen time GJK e ka pushuar. Meqë në këtë absurditet, u arrit për shkak të akuzave të ngritur ndaj meje, dhe votimi sot lidhet me mandatin tim, nuk do komentoj dhe kolegët le të diskutojnë e të e vendosin të lirë”.

Ndër të tjera, ka pasur dhe akuza të drejtëpërdrejta për Gazment Bardhin.

“U bë një kohë shumë e gjatë…Përmbaje Gazin të lutem. U bë një kohë e gjatë shpifje, je një gënjeshtar i rëndomtë. Shpifje. U bë një kohë e gjatë që emri im lidhte me paligjshmëri dhe abuzim me mandatin e deputetes. Nuk jam përgjigjur, jam menduar të rri në këtë detyrë apo të iki, të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linç, ku faktet janë interesa politike e mediatike. Jam menduar se ku kam gabuar për të mbajtur në kurriz këtë furi balte, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera, as nuk kam përfituar asgjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore