Shqipëria

Rama mbështet presidentin Erdogan para zgjedhjeve: “Një mik i mirë i ditëve më të vështira”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë një video-mesazh me rastin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Turqi që do të mbahen më 14 maj.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Anadolu”.

“Për mua personalisht Presidenti Erdoğan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, po edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Disa mendojnë se ai është shumë rigjid dhe i prerë. Mbase kanë të drejtë, po mbase për këtë fazë të historisë së Turqisë dhe në këtë botë kaq të paparashikueshme, mospërkulja është pikërisht ajo që i është dashur e i duhet ende një vendi si Türkiye, e cila në 14 maj duhet të vendosë mes vështirësisë për të vazhduar përpara dhe lehtësisë së kthimit mbrapa”, thuhet në mesazhin e Ramës.

Në hyrje të mesazhit të publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama thekson se Turqia është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, sipas tij, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Evropën.

“Është padiskutim detyra e qytetarëve të Republikës së Turqisë të zgjedhin liderin dhe qeverinë që duan. Askush nuk mund dhe nuk di ta bëjë këtë më mirë se ata. Por, në respekt të secilit e të secilës prej tyre, unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për Presidentin Erdoğan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Turqinë në shembullin e një transformimi fantastik”.

Kryeministri shqiptar vërejti gjithashtu se fuqizimi shembullor i Turqisë dhe krijimi i një vetëdijeje të re, tek forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Turqinë e për popullin e saj, “po krijuan edhe vështirësi të mëdha dhe kundërshti të forta”.

Këto të fundit, kujtoi Rama, kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të integritetit të institucioneve legjitime të Turqisë, madje edhe të vetës jetës së Presidentit Erdogan.

“Unë e di se Presidenti Erdoğan ka kritikë të fortë, ashtu siç ka edhe mbështetës pasionantë dhe me siguri të dyja palët kanë arsyet e tyre legjitime, për të cilat sot Turqia po zhvillon një ballafaqim të zjarrtë. Po unë dua vetëm t’ju them të gjithëve se në kohë kaq të vështira, jo vetëm për Turqinë, po për krejt botën e sidomos Evropën, eksperienca dhe karakteri i Presidentit të Republikës së Turqisë – roli i tij për lehtësimin e barrës së madhe të konfliktit në Ukrainë mbi rrugët e furnizimit me grurë të shumë vendeve të rrezikuara nga pesha e atij konflikti apo pesha e gjykimit të tij në përballjen me vatrat kërcënuese të terrorizmit – janë një aset tepër i çmuar, për të mos u marrë parasysh nga të gjithë ata që të dielën e ardhshme do të vendosin për drejtimin që do të marrë Turqia”, theksoi Rama.

Rama shprehet se për Shqipërinë dhe shqiptarët Presidenti Erdoğan është një mik i mirë i ditëve më të vështira, sipas tij që nga dita e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet, që Turqia ishte e para e cila e deklaroi sapo Kuvendi i Kosovës shpalli republikën, tek tragjedia e tërmetit në Shqipëri, kur Turqia mbështeti qindra familje të prekura shqiptare me ndërtimin e shtëpive të reja apo mundësimi i vaksinave kundër virusit vdekjeprurës, kur të tjerët sipas kryeministrit Rama “ishin shumë të zënë me hallin e tyre”.

Më 14 maj, qytetarët turq do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes katër kandidatëve presidencialë, 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlament.

64,11 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe më shumë se 4,9 milionë qytetarë turq do të votojnë për herë të parë.

Presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan, pastaj Muharrem Ince, Kemal Kilicdaroglu dhe Sinan Ogan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatë për president.

Qendrat e votimit më 14 maj do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në orën 17:00 ora lokale, në 87 rajone.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura edhe jashtë Turqisë, në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi.

Më shumë se 3.41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.

Erdogan po përballet me zgjedhjet e tij më të vështira në 20 vjet, mes një krize ekonomike dhe pas tërmeteve shkatërruese të muajit shkurt në Turqinë lindore.

Ai ishte në qytetin jugor të Mersinit të shtunën ku i përshkroi zgjedhjet si një “zgjedhje të mbijetesës kundër terroristëve”, duke përmendur lidhjet midis Kilicdaroglu-s dhe Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Opozita, e cila i mohon akuzat, bëri thirrje për qetësimin e situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore