Shqipëria

Rama i përgjigjet “presionit” të Mitsotakis-it me nderime në Derviçan


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është kundërpërgjigjur të dielën e 17 shtatorit në median sociale “Facebook” homologut grek Kyriakos Mitsotakis por jo me të njëjtën monedhë.

Ndryshe nga presioni i mëhershëm diplomatik i palës greke për çështjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Rama ka zgjedhur të nderojë të atin e kryeministrit grek përmes emërtimit të qendrës së bashkisë së Dropullit.

“Kantieri i Rilindjes Urbane në zemër të Derviçanit, qendrës së bashkisë së Dropullit, e cila do të mbajë emrin e Konstandinos Mitsotakis, kryeministrit të parë grek që vizitoi minoritetin pas rënies së komunizmit”, shkruan kreu i Qeverisë në postimin e tij.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis më herët kërcënoi se “sjellja e Shqipërisë mund të ketë implikime më të rënda, sa i takon integrimit evropian”.

Gjatë një konference shtypi për gazetarët grekë, Mitsotakis nuk mund të mos pyetej edhe rreth rastit Beleri.

“Çështja i lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur. Më shqetëson veçanërisht fakti që edhe sot Shqipëria refuzon t’i japë atij mundësinë për t’u betuar si kryetar bashkie”, është përgjigjur ai fillimisht.

Më tej, ka shtuar qëndrimin zyrtar grek se “kjo është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare”, duke shtuar edhe se implikime më të gjera mund të vijnë, rreth anëtarësimit në familjen e gjerë evropiane, nëse një zgjidhje nuk gjendet.

“Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje”, ka përmbyllur ai. “Nuk do të ndalem së ngrituri çështjen në Bashkimin Evropian dhe te zoti Rama”.

Çfarë ndodhi më herët?

Vetë Belerin ndërkaq, më 15 shtator, e ka takuar edhe ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Yiannis Oikonomou, i cili po ashtu ka kërkuar lejimi i menjëhershëm për betimin e tij në krye të bashkisë jugore.

“U takova sot në burgjet e Durrësit, në prani të ambasadores tonë në Shqipëri, Konstantinas Kamitsi, me kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, anëtar i minoritetit etnik grek të Shqipërisë, Fredi Beleri, i cili qëndron në paraburgim për më shumë se katër muaj. Për Greqinë ky rast ka qenë që në fillim dhe mbetet tejet serioz. Respektimi i shtetit të së drejtës dhe i të drejtave politike janë parimet dhe vlerat kryesore evropiane”.

Kështu shkroi fillimisht ministri grek, lidhur me takimin.

Më tej, ai thekson se qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshuar për rastin, ku saktëson se sipas standardeve greke, nuk janë marrë parasysh parimet e shtetit ligjor, prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i të drejtave politike.

“Pala shqiptare duhet të lejojë menjëherë betimin e Belerit si kryetar bashkie, duke respektuar verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit”, ka vijuar ai në përmbyllje. “Zgjatja e situatës aktuale hedh një hije serioze mbi marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është në kundërshtim me të drejtën ligjore evropiane, me gjithçka që ajo përfshin”.

Tre ditë më parë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dërguar përfundimisht për gjykim dosjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shit-blerje të votave në procesin zgjedhor të 14 majit 2023.

Megjithatë, sipas avokatit të këtij të fundit, klienti i tij po mbahet në burg politikisht dhe kjo çështje, ashtu si duket deri tani, “do të zgjasë”.

Pikërisht për këtë aspekt, ai mendon se Beleri nuk duhet të mbahet në paraburgim, duke qenë se gjyqi do të zgjasë. Ndërsa, thekson se nuk kishte pritshmëri të tjera nga pala mbrojtëse mbi rezultatin e gjykimit.

Ndërkaq, diplomacia greke ka vijuar me presionin e saj ndaj autoriteteve shqiptare lidhur me arrestimin e Belerit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, deklaroi se perspektiva evropiane e Shqipërisë lidhet me respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke.

“Shqipëria duhet të dëshmojë se respekton të drejtat e pakicës kombëtare greke dhe shtetin e së drejtës”, theksoi kryediplomati grek gjatë një konference ndërkombëtare.

Reagimi i autoriteteve greke vjen disa orë para seancës së Fredi Belerit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO), i cili ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por që i janë refuzuar.

Gerapetritis shtoi se Athina zyrtare nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe parimet bazë të BE-së, si demokracia dhe shteti i së drejtës, duke iu referuar Shqipërisë.

Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi për Albanian Post se pret nga autoritetet shqiptare “që të sigurojnë një proces të rregullt sipas ligjeve të tyre” për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore