Shqipëria

Rama dhe Rutte: Komuniteti Evropian Politik është një ide e mirë


E enjtja e 6 tetorit, do të shohë në Pragë takimin e parë në kuadër të konceptit të Komunitetit Politik Evropian, si propozim i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për një kontinent më gjithëpërfshirës dhe të hapur.

Në pasqyrë të kësaj nisme, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij holandez, Mark Rutte, kanë shkruar një editorial të përbashkët në median prestigjioze, Politico, ku arsyetojnë gjithë suksesin që kjo nismë mund dhe duhet të ketë, me gjithë sfidat e rreziqet që i kanosen Evropës.

Që në hyrje të reflektimit të kryeministrave, përmendet fillimisht agresioni rus në Ukrainë, i cili në realitet e përligj edhe më shumë një koncept të tillë sipas tyre, në një kohë kur kemi të bëjmë me një sulm të tillë ndaj rendit global, i cili përbën një kërcënim në lirinë dhe sigurinë tonë.

“Me këtë luftë, presidenti rus, Vladimir Putin, shpresoi të nxiste ndasi mes vendeve të Evropës, por në fakt, ai arriti krejt të kundërtën. Ne qëndrojmë të bashkuar – jo thjesht vendet e Bashkimit Evropian, por të gjitha vendet evropiane”, shpjegojnë ata.

Mbi këtë premisë, Rama dhe Rutte shpjegojnë se do të bëjnë gjithçka, për të ndihmuar Ukrainën në dy aspekte: Fitimin e integritetit të saj të plotë territorial, si edhe në rindërtimin e saj.

Rindërtim duhet edhe sa i përket disa prej themeleve, në të cilat i gjithë kontinenti është i ngritur.

“Nevoja për një Evropë të unifikuar, të fortë dhe të vazhdueshme është e dukshme”, reflektojnë krerët e dy qeverive, duke nënvizuar se për këtë arsye, ata të dy e mbështesin plotësisht propozimin e presidentit francez, Macron, për krijimin e këtij komuniteti.

“Ai duhet të jetë një vend ku të gjithë vendet demokratike të Evropës mund të diskutojnë shqetësimet e përbashkëta dhe sfidat dhe të gjejnë zgjidhjet”, vijohet më tej. “Duhet të jetë i drejtuar jo për nga burokracia, por për nga fleksibiliteti”.

Po ashtu, nevojitet sipas tyre edhe një platformë, e cila nuk i mbivendoset organizatave të fuqishme rajonale që i kemi tashmë në Evropë, apo të jetë plotësuese e një procesi të mirëndërtuar të aderimit në Bashkimin Evropian të vendeve kandidate.

Ndaj, më shumë, ky Komunitet cilësohet si një hapësirë pune, ku vendet mund të takohen e të bëjnë biznes.

Të dy liderët nuk e fshehin se me padurim po e presin takimin e parë mbi këtë koncept të ri më 6 tetor dhe se ata besojnë fuqimisht se ka një agjendë të rëndësishme dhe ambicionze diskutimi që prej fillimit të nismës.

Si shembull, duhet të shihet potenciali i madh për zgjerimin dhe integrimin e rrjeteve kontinentale energjetike dhe të transportit. Kjo për shembull, sipas tyre, është diçka që mundet fare mirë të diskutohet në Komunitet, duke përcaktuar edhe një rrjedhë të mirëfilltë pune për ta arritur.

Ndaj, mbi këtë premisë, prioritizimi i investimeve në prodhimin e energjisë në Evropë, do të ndihmojë më tej në fitimin e pavarësisë energjetike nga Rusia, duke iu referuar sërish rritjes marramendëse të çmimeve të rrymës dhe gazit, për shkak të raporteve që kontinenti ndan sot me Rusinë.

“Njëkohësisht, kriza klimatike mbetet një prej sfidave më të mëdha, me të cilat përballemi – mund ta shohim këtë ende në kontinentin tonë. Si etile, duhet patjetër të koordinohemi, duke përfshirë avancimin e shprehur në samitin Glasgow COP26, mbi financimin e vendeve në zhvillim për çështjet e klimës”, shtojnë më tej kryeministrat.

Sfida të tjera të mëdha, të cilat përmenden, janë siguria kibernetike, investimi tek rinia apo çështja e edukimit pan-evropian, mbi të cilin duhet investuar sa më parë.

Tregtia, është pika tjetër lidhëse e kësaj nisme, ku përtej tregut tepër të gjerë evropianë, nxitje kërkojnë edhe tregjet sub-rajonale, për t’i tejkaluar sfidat.

“Komuniteti Politik Evropian na prezanton një mundësi kritike për të ndarë sfidat e përbashkëta, të cilat na presin”, përmbledhin në fund Rama e Rutte. “Evropa duhet ta formësojë vetë të ardhmen e saj dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është duke punuar së bashku, si anëtarë demokratikë e një familjeje evropiane”.

Ndaj, nën thirrjen e të punuarit së bashku, për t’u bërë më të fortë, më të sigurt e më të begatë, dy kryeministrat, e pohojnë njëzëri: Ju mund të mbështeteni tek ne, për ta arritur këtë.

Komuniteti Evropian Politik është një ide e mirë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore