Lajme

Raketat ruse nuk goditën depozitat e grurit në Odesa


Sulmi me raketa në portin tregtar detar të Odesa-s nuk pati asnjë ndikim në depozitat e grurit.

Kjo, pas zjarrit që shpërtheu në stacion.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Suspilne”, duke cituar Natalya Humenyuk, shefen e qendrës së shtypit të forcave të sigurisë dhe mbrojtjes së Jugut.

“Është e qartë se qëllimi i armikut ishte goditja e portit tregtar detar të Odesa-s. Katër raketa Kalibr u mësynë në këtë drejtim, dy prej tyre u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore, dy goditën objektet infrastrukturore të vetë portit”, u shpreh fillimisht zyrtarja ukrainase.

Sipas saj, në momentin e goditjes së raketave shpërtheu një zjarr i vogël, i cili u shua shpejt nga ekipet e shpëtimit. Vala goditëse ka dëmtuar banesat përreth portit.

Humenyuk theksoi se vetë depozitat e grurit nuk u goditën.

Rusët goditën portin detar të Odesa-s pikërisht aty ku ishte ruajtur gruri, deklaroi më herët Yuriy Ignat, zëdhënësi i Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës.

Shërbimi për shtyp i Ministrisë së Politikës Agrare gjithashtu raportoi në një koment për “Suspilne-” se në port kishte drithëra.

Trupat ruse sulmuan portin e Odesa-s 24 0rë pas nënshkrimit të marrëveshjes së grurit.

Më 22 korrik, në Stamboll u nënshkrua marrëveshja për zhbllokimin e porteve të Ukrainës për eksportin e grurit.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka reaguar ndaj sulmeve në Odesa.

Sipas komentit të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, Ukraina i bën thirrje OKB-së dhe Turqisë që të sigurojnë që Rusia të përmbushë detyrimet e saj.

Kjo, në kuadër të funksionimit të sigurt të korridorit të grurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore