Zgjedhjet në Kosovë

Rahovec: Çfarë premtimesh iu bënë banorëve?


Komuna e Rahovecit.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, në një përgjigje për Albanian Post kanë sqaruar planprogramet e tyre të cilat kanë për qëllim të i plotësojnë brenda mandatit katër vjeçarë si dhe atë se çka i dallon ata nga kandidatët e tjerë.

Kryetari aktual i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili kandidon përsëri për kryetar të kësaj komune nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një përgjigje për Albanian Post ka bërë të ditur pesë prioritetet e tij për këtë komunë.

“Në sektorin e bujqësisë do të ndërtohet një qendër e madhe maganizuese për ruajtjen e rrushit, vreshtarët janë prioritet i qeverisjes sonë, do të përkrahet institucionalisht zhvillimi i agro-turizmit, do të ketë politika të reja për përkrahjen e fermerëve”.

Si prioritet të dytë ai thekson se ka përmirësimin e mjedisit.

“Përveç eleminimi i deponive, do të bëhet edhe rikultivimi i atyre hapësirave, do të identifikohen lokacionet për pyllëzimin e hapësirave në Rahovec, do të ketë inspektime të shpeshta për mbrojtjen e mjedisit”.

Tre prioritetet të tjera të Latifit do të jenë po ashtu, “shëndetësia, do të rritet përkrahja nga 200 në 300 euro për lindjet e reja në Rahovec, synimet janë për të ofruar 500 euro për çdo lindje të re, do të ndahet buxhet për ofrimin e banesave esenciale për të gjithë qytetarët, do të mbulohen pjesërisht shpenzimet e pacientëve me sëmundje terminale”.

Ndërsa, “në arsim, do të hapen çerdhe të reja në zona rurale dhe urbane, do të investohet në funksionalizmin e plotë të çerdheve ekzistuese, do të rritet numri i bursave për studentë, për studentë me talent të veçantë, bursat do të jenë më të lartë”.

“E pesta do të jetë, zhvillimi ekonomik, turizmi dhe punësimi në të cilat do të behën vlerësimet e nevojshme për të siguruar uljen e taksave për bizneset private, do të krijojmë hapësira dhe lehtësira për investime nga sektori privat”.

“Në pjesën e kulturës do të krijojmë komunë për të rinjtë, do të përfundoj qendra për arte, kulturë dhe inovacion, do të ketë fusha sportive në çdo fshat dhe lagje”.

Kryetari aktual i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili kandidon përsëri për kryetar të kësaj komune nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Bejtullah Deliu – PDK

Kandidati për kryetar të komunës së Rahovecit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bejtullah Deliu, sqaron për Albanian Post se prioriteti i parë për këtë komunë do të jetë shëndetësia.

“Furnizimi me reagencë të laboratorëve, për arsye që qytetarët e Komunës s ë Rahovecit të mos bëjnë analiza shëndetësore në laboratorë private, plotësimi i stafit teknik dhe me Doktor ( me kontratë të plotë), ndërtimi i AMF-ve nëpër disa lokacione ku, ka nevojë. Funksionalizimi i QMF-ve me laboratorë dhe pajisja me vetura të emergjencës në Rakoc dhe Krushe të Madhe”.

Pritorit të dytë ai e konsideron arsimin.

“Pajisja me laboratorë ne lëndë përkatëse në të gjitha shkollat e mesme në komune, shujta falas nga klasa e I-re deri në klasën e V-të, kryerja e praktikës nga nxënësit e shkollës profesionale, nëpër subjekte adekuate me drejtimin që nxënësit marrin”.

Pritoriteti i tretë i Deliut është bujqësia dhe agroturizmi.

“Ngritja e 4 pikave grumbulluese, 2 për perimekulturë dhe 2 për rrush, subvencionimi  në eksport për perimekulturë dhe rrush për 0.05€ ne kg,  krijimi i shtigjeve nëpër të gjithë territorin e komunës për promovimin e turizmit, subvencioni duke u koordinuar me bujkun, aty ku ata, kanë nevojë për subvencione në atë forme edhe do subvencionohen”.

Ndërkaq, thekson edhe dy prioritete të tjera.

“Inovacioni, ndërtimi i qendrës së madhe për inovacion të ndarë në inkubator dhe teori si dhe ekonomi, ngritja e zyrës me ekspertë për rregullimin, zhvillimin dhe finalizimin e projekteve për biznese të ndryshme për të aplikuar për Grante në organizata të ndryshme europiane”.

“Ngritja e zyrës për diasporë, duke u kujdesur për regjistrim të bizneseve me kushte të Kosovës si dhe asistim deri në finalizim të tyre, po ashtu ndarja e disa parcelave në zonën ekonomike duke ua mundësuar hapjen e veprimtarive të ndryshme me të gjitha kushte në infrastrukturë, me lirim të taksave komunale për 3-5 vite”.

“Për 4 vite do të kemi mbi 150 mijë euro të hyrat nga jashtë me grante dhe subvencione të ndryshme”.

Deliu, shprehet se sipas tij Rahoveci duhet të votoj atë për shumë arsye.

“Mbaj premtimin e dhënë duke bartur përgjegjësitë, kam përvojë të mirë menaxheriale, kam treguar suksese në fusha të ndryshme që kam pasur si në: Teatër, Sport, biznes, dhe kompani publike. Mosha e re, vullneti për punë dhe mosdorëzimi përballë sfidave më karakterizojnë si personalitet”.

Kandidati për kryetar të komunës së Rahovecit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bejtullah Deliu.

Xhafer Bytyqi – kandidat i pavarur

Kandidati i pavarur për kryetar të Rahovecit, Xhafer Bytyqi, është shprehur se si prioritet për këtë komunë do të qëndroj përmirësimi në fushën e arsimit.

“Zhvillimi infrastrukturor i shkollave , digjitalizimi i mësimdhënies, disiplinimi i përdorimit të telefonave mobil nga nxënësit, uniformimi i nxënësve, krijimi i sigurisë në ambientet shkollore ndërtimi i çerdheve në çdo Bashkësi Lokale”.

Prioritet tjetër, Bytyqi ka edhe agroturizmin.

“Stimulimi dhe organizimi i agroturizmin si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e turizmit dhe për zhvillimin ekonomik komunal”.

E treta në radhë, sa i përket planprogramit të Byqyit është shëndetësia.

“Organizimi më profesional i shërbimeve brenda shtëpive të shëndetit, mirëmbajtja më e mirë e teknologjisë mjekësore, mirëmbajtja më e mirë e higjienës së brendshme dhe të jashtme të ambienteve shëndetësorë, furnizimi i bollshëm me barëra esenciale, organizimi i ekipit mobil për shërbime në teren”.

Por, përveç këtyre dy prioritete të tjera janë bujqësia dhe subvencionet në kulturë dhe sport.

“Mbrojtja e prodhimit bujqësor nga vërshimet dhe nga breshëri, hapjes profesionale të kanaleve të kullimit, duke filluar nga pikat më të ulëta e deri në ato më të larta”.

“Ndarje korrekte dhe profesionale e subvencioneve në kulturë dhe sport përmes rregulloreve të veçanta që do të krijojmë për ndarjen e subvencioneve në këto fusha, qëllimi i të cilave do të jetë mbështetës dhe zhvillimor”.

Bytyqi, deklaron se ai ofron një qeverisje të pavarur nga ndikimet politike dhe kjo e dallon nga kandidatët e partive të tjera.

“Kam vizionin të qartë për zhvillimin e komunës së Rahovecit, ofroj projektet më të mira zhvillimore dhe alternativat e realizimit të tyre. Jam në situatë shumë të favorshme politike për të qenë unifikues i skenës politike lokale”.

Kandidati i pavarur për kryetar të Rahovecit, Xhafer Bytyqi

Burim Krasniqi – LDK

Kandidat për kryetar të komunës së Rahovecit janë edhe Burim Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetvendosje, por të cilët nuk i janë përgjigjur Albanian Post.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 22 tetor të vitit 2017.

Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte fituar mandatin për të qenë në krye të komunës së Rahovecit për katër vite.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Latifi kishte marrë 10 mijë e 483 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore