Lajme

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u drejtohen kutive të votimit – nuk raportohet për asnjë parregullsi në procesin zgjedhor


Ilustrim

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar të mërkurën kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e shtetit, derisa deri tani nuk është raportuar për asnjë parregullsi në procesin zgjedhor. Në bazë të të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, tha se deri tani gjendja e sigurisë është stabile dhe nuk janë raportuar parregullsi në procesin zgjedhor. Në një konferencë për media paraditen e 24 prillit, ai njoftoi se nuk janë vërejtur shkelje apo telashe përgjatë procesit zgjedhor që nisi nga 07:00, ndërsa do zgjasë deri në 19:00.

Në garën presidenciale, përveç presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili u propozua nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane” që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), janë edhe dy shqiptarë. Nga koalicioni “Fronti Evropian” nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon Bujar Osmani, ministri aktual i Punëve të Jashtme të RMV-së.

E koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN” në përbërje prej Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, udhëhiqet nga Arben Taravari, kryetari aktual i komunës së Gostivarit dhe kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fakt shkaktoi një valë të polemikave dhe përplasjeve ndër-shqiptare në Prishtinë e Shkup.

Megjithatë, gara kryesore pritet të jetë mes kandidatëve maqedonas. Duke qenë se në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti për shkak se ligji përcakton që një kandidat/e duhet të marrë mbi gjysmën e votave të qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve, pritet të organizohet një raund i dytë.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët më të votuar, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave. E rundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, zgjedhjet presidenciale vlerësohen të jenë shumë të rëndësishme për shkak se priten ta përcaktojnë disponimin e qytetarëve edhe në zgjedhjet qendrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore