Shqipëria

Qeverinë Rama: Marrin detyrën ministrat e rinj


Kuvendi i Shqipërisë, në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur ditën e hënë, më 4 janar, miratoi dekretet e presidentit, Ilir Meta për ndryshimet e reja në kabinetin e qeverisë Rama.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, seanca plenare miratoi me 95 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, shkarkimin e z. Edi Rama nga detyra e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Me 95 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim, u miratua shkarkimi i znj. Olta Xhaçka nga detyra e ministres së Mbrojtjes.

Me 94 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, u miratua emërimi i znj. Olta Xhaçka si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Me 94 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim, u miratua  emërimi i z. Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes.

Pas dy orësh, në Institucionin e Presidentit të Republikës, u zhvillua ceremonia e betimit të dy anëtarëve më të rinj të kabinetit qeveritar, Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka dhe Ministrit të Mbrojtjes, z. Niko Peleshi.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Ministrja Xhaçka dhe Ministri Peleshi u betuan me dorën mbi Kushtetutë para Kreut të Shtetit:

“Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta u dorëzoi dekretet përkatëse të emërimit Ministres Xhaçka dhe Ministrit Peleshi, duke u uruar suksese në detyrat e tyre të reja e të rëndësishme.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, z. Engjëll Agaçi si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore