Lajme

Qeveria po rri e po vëzhgon, derisa strukturat paralele serbe fuqizohen në Veri


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, me udhëheqës të Listës Serbe në një foto rasti në ditën kur po vendosej gurthemeli i Universitetit paralel

Qeverisë nuk i takon të rrijë e të vëzhgojë se çfarë po ndodhë brenda shtetit, por duhet të “veprojë me forcën e ligjit”, ka thënë ish-kryenegociatorja e Kosovës në Bruksel, Edita Tahiri, për Albanian Post, kur ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe vendosjen e gurthemelit të universitetit paralel serb në Kosovë.

Të premten drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, përuroi nisjen e ndërtimit të objektit të ri të “Universitetit të Prishtinës” në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë”, thë Petkoviç.

Qeveria e Kosovës nuk lëshoi asnjë reagim rreth këtij zhvillimi, prandaj Tahiri, që dikur kritikohej nga opozita që po negocion dobët në Bruksel kundër Serbisë, thotë se këto zhvillime janë asgjë më pak se “ngritje e struktura paralele serbe”.

Ishte pikërisht Tahiri kryeneogociatore kur me 19 prill të vitit 2013 ishte nënshkruar Marrëveshja për Normalizim Marrëdhëniesh që pjesë të saj kishte integrimin e pakicës serbe dhe shuarjen e institucioneve paralele të jashtëligjshme të Serbisë që vepronin në veri të Kosovës.

“Derisa ne si qeveri dhe unë si kryenegociatore bëmë shuarjen e strukturave paralele serbe në veri, çfarë po ndodh me këtë qeveri që para syve të saj po ngritën struktura paralele”, thotë Tahiri, duket përmendur shembullin e vënies së themeleve të universitetit paralel.

Por, nuk është vetëm universiteti problem. Në sy të shtetit, në Veri, funksionojnë edhe shumë struktura të tjera.

Nëse merret shembull shëndetësia dhe arsimi në përgjithësi, strukturat serbe as nuk mund të quhen paralele, sepse ato të Kosovës nuk ekzistojnë fare.

Qeveria madje as që ka bërë përpjekje që të shtrijë juridiksionin e saj në këto dy fusha në atë pjesë.

Në anën tjetër Serbia vazhdon me investime milionëshe.

Vetëm për vitin 2021 janë ndarë 91.8 milionë euro për Kosovën nga qeveria serbe.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti, 67.7 milionë euro, shkon për të ashtuquajturën Zyra për Kosovën.

Ndërsa 43.7 milionë euro nga këto para ndahen për të mbështetur funksionimin e institucioneve paralele dhe organizatave të tjera në Kosovë, kurse 23.6 milionë euro për mbështetje të popullatës serbe.

Dhe nuk është vetëm ky kanal parash që vjen nga Serbia në Kosovë.

Edhe ministritë veç e veç ndajnë shuma milionëshe për sektorë të caktuar në Veri.

Janë plotë 23.8 milionë euro që Ministria e Arsimit në Serbi i ndanë për universitetin paralel, i cili punon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Shumica e pozicioneve udhëheqëse nëpër këto struktura janë të zëna me udhëheqës të Listës Serbe, parti e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës, po ashtu.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë kishte kritikuar qeveritë e ndryshme, për mos marrje masash në këtë drejtim. Tani, Vetëvendosje udhëheqë me qeverinë, por masa – ashtu siç kërkoheshin dikur – nuk janë marrë. Kritikat kanë ikur, strukturat paralele jo.


Këtu mund të shihni dokumentarin “10 vjet dialog” realizuar nga Albanian Post.

Pjesa e Dytë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore