Lajme

Qeveria miraton projektligjin që rregullon çmimin e barnave në Kosovë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 132-të ka miratuar projektligjin për çmimet e produkteve medicinale.

Projektligji në fjalë i cili u prezantua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, parasheh rregullimin e çmimeve të barnave në vend.

Projektligji, sipas ministrit, ka për qëllim që kostoja e barnave të jetë e përballueshme dhe e krahasueshme me vendet e rajonit, bile edhe më lirë.

“Çmimi i një bari do të jetë njësojë në çdo barnatore. Duke përcaktuar nivelizimin e çmimit të barnave dhe përcaktimin e çmimeve maksimale për blerje nga institucionet publike krijohet për herë të parë sistemi rregulltiv në Kosovë”, ka shtuar ai.

Sipas ministrit Vitia, deri tash këtë ligj nuk e kanë pasur vetëm dy shtete në Evropë, Kosova dhe Bjellorusia.

“Pas dy dekadash, si përfundim, Kosova për herë të parë po hiqet nga kjo listë. Kjo nismë është politikë e re dhe e shumëpritur në mbrojtjen e qytetarëve”,

Vitia ka bërë të ditur se ligji ndër të tjera përfshin lartësinë e marzhës për shitësit, metodologjinë e përcaktimit të çmimeve, kalkulimin e tyre, komisionin për përcaktim çmimesh, publikimin zyrtar të tyre dhe mbikëqyrjen, ankesën dhe sanksionet.

Ky sistem rregullativ, sipas Vitisë, është parakusht për themelimin e sistemit të rimburësimit të barnave.

“Projektligji ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësinë publike duke ofruar qasje më të përballueshme të popullatës në barnat e nevojshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore