Lajme

Qeveria miraton projektligjin për Pronën Publike


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar Projektligjin për Pronën Publike.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka arsyetuar projektligjin duke thënë se se deri më tash s’ka pasur ligj që përcakton saktë pronën publike dhe se me këtë projektligj do të qartësohet e drejta pronësore publike.

Me këtë ligj parashihet edhe themelimi i një institucioni mbikëqyrës.

Gjithashtu ekzekutivi, ka ndryshuar përbërjen e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Leonora Selmani është bërë kryetare, e kryetarja aktuale Minire Begaj është bërë anëtare.

Gjatë mbledhjes, kryeministri ka thënë se të gjithë qytetarët e lënduar në aksidentin e të martës së 11 janarit në Serbi, janë jashtë rrezikut për jetë.

“Fatmirësisht të gjithë qytetarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë. Shpirtërisht jemi me ta derisa ata kalojnë mijëra kilometra në këto kohë të acarta të dimrit”.

Ai shtoi se, “sakrifica kontributi dhe mundi i tyre për të qëndruar sa më afër familjarëve në Kosovë është për tu admiruar, urojmë që udhëtimet e tyre të jenë sa më të lehta e të sigurta, ju uroj shërim të shpejt e të plotë të gjithë të lënduarve”.

Ndërsa, theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar të prekurit nga ky aksident.

“Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshme dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar të prekurit të gjithë nga ky aksident”, tha Kurti.

Autobusi që u rrokullis ishte i linjës Prishtinë-Graz (Austri), derisa aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e 11 janarit, rreth orës 22:00, saktësisht në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Pasi janë dërguar të lënduarit në spital, kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz.

Pas aksidentit për media ka folur edhe drejtori i Agjencisë Turistike, Gazmend Zhitia.

Në këtë aksident, sipas Zhitisë, të përshirë ishin 78 udhëtarë, ndërsa, pavarësisht pamjeve të publikuara nga vendi i ngjarjes, Zhitia mohonte se ka pasur rrotullim të autobusit.

“Ishte vetëm rrëshqitje, për shkak të mospastrimit të rrugës”, ka deklaruar ai.

“Ju kërkojmë falje të gjithë atyre që ishin udhëtarë dhe familjeve të tyre, mirëpo po ju garantoj që të gjithë janë shëndosh e mirë”, ka thënë Zhitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore