Shqipëria

Qeveria fik dritat për kursim – Biznesi i vogël i shpërdoron pa kursim


Prej disa javësh, Qeveria shqiptare – duke parë edhe situatën delikate energjetike jo vetëm në vend por në të gjithë Evropën – ka marrë vendimin të fikë dritat e akseve kryesore të kryeqytetit dhe më gjerë, për të kursyer disi rrymën, në kohët aspak të zakonta kur po jetojmë.

Vendimi, nuk është komentuar së shumti, referuar edhe zhvillimeve të fundit globale, me luftën në Ukrainë të lëshuar në shkallë të gjerë dhe krizën e çmimeve të pranishme kudo.

Një masë ndihmuese është marrë po ashtu nga shteti, sa i përket rimbursimit të çmimeve në faturat e konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël. Ky vendim në fakt, gjerësisht, është mirëpritur.

Mirëpo, teksa nga një anë, Qeveria në orët e vona të natës ka fikur dritat e rrugëve kryesore dhe institucioneve shtetërore, nga ana tjetër, pikërisht përftuesit më të mëdhenj të rimbursimit të faturave, bizneset e vogla, duket se as që duan t’ia dinë për masat e marra.

Pamje e disa bizneseve të vegjël me drita të ndezura gjatë orëve të natës, Tiranë

Lirisht, në çdo rrugë të Tiranës, dritat e dyqaneve dhe tabelat, janë krejtësisht të ndezura dhe pa asnjë mendim kursimi të mundshëm të rrymës.

Për më tepër, më 13 prill 2022, ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, gjatë një konference shtypi për mediat, duke theksuar se do të ketë një rishikim të skemës ku konsumatorët familjarë më të mëdhenj do të detyrohen të paguajnë çmimin e plotë të energjisë, mbi bizneset e vogla e përjashtoi kategorikisht këtë gjë, duke thënë se fasha e tyre do të jetë pa diskutim e mbrojtur.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Në këtë aspekt pra, fatura e këtyre bizneseve, paguhet në një mase të madhe nga Qeveria, ose thënë ndryshe, nga taksapaguesit.

Ndaj, nëse mbetet kështu, përse duhet të shpërdorohet, ndërkohë që vetë financuesit e peshës kryesore të shpenzimeve energjetike të biznesit të vogël, e kursejnë atë?

Pamje e disa bizneseve të vegjël me drita të ndezura gjatë orëve të natës, Tiranë

E gjithë kjo, duke lënë mënjanë edhe aspekte si për shembull siguria rrugore, e cila mund të jetë e cenuar pa ndriçimin qytetës funksional.

Albanian Post pyeti biznesmenë të ndryshëm të sipërmarrjeve të vogla mbi çështjen dhe përgjigjet janë nga më të larmishmet.

Disa, i referoheshin një force zakonore të mendësisë popullore, të të lënit dritat ndezur gjatë natës. Të tjerë, pretendonin se dritat e jashtme të dyqaneve të tyre, ndihmojnë kalimtarët të shohin rrugët.

Pamje e disa bizneseve të vegjël me drita të ndezura gjatë orëve të natës, Tiranë

Disa, e çojnë argumentimin deri aty sa të thonë se tabelat e tyre të ndriçuara, janë një formë reklamuese e dyqaneve, pavarësisht faktit se në ato orë të vona të natës, këmbësorë të paktë qarkullojnë rrugëve.

Më së shumti, bëhet fjalë në këtë grupim për dyqanet e telefonave, butikët e veshjeve, dyqanet e shitjes me pakicë apo edhe biznese të tjera të vogla.

Ajo çfarë bën përshtypje, është se pavarësisht fikjes së ndriçimit, disa platforma reklamuese përgjatë rrugëve, jo vetëm që qëndrojnë të ndezura, por janë edhe verbuese në sytë e kalimtarëve.

Një platformë reklamuese dhe disa biznese të vegjël me drita të ndezura gjatë orëve të vona të natës, Tiranë

Zakonisht, fikja e dritave në akset kryesore fillon rreth orës 23:00-24:00, kur edhe fluksi i qytetarëve që qarkullojnë në rrugë bie thuajse tërësisht.

Mbi këtë fenomen të vërejtur prej javësh, redaksia e Albanian Post, është përpjekur të marrë një deklaratë nga vetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por asnjë përgjigje e qartë nuk ka ardhur.

Çështjet kryesore të interesit në pyetjet e parashtruara nga redaksia, kanë qenë mbi natyrën e fenomenit, evidentimet e rasteve të tilla dhe një përllogaritje mbi dëmin që lënia ndezur e dritave nga biznesi i vogël sjell mbi buxhetin e shtetit.

Pamje e disa bizneseve të vegjël me drita të ndezura gjatë orëve të natës, Tiranë

Nën pretendimin se “informacionet që kërkohen janë shumë specifike dhe janë drejtuar në drejtoritë përkatëse”, asnjë përgjigje mbi to nuk ka ardhur nga Ministria, pavarësisht faktit se gazetarët kanë këmbëngulur prej javësh të kenë një qëndrim prej institucionit.

Në fund të muajit mars, kur lindi edhe një problematikë mbi rënien e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, eksperti i energjetikës, Azmer Duleviç, reagoi duke thënë se “dritat qytetase nuk konsumojnë shumë, ndaj nuk kanë ndikim të madh në ruajtjen e konsumit të energjisë”.

Nëse çështja është vërtetë e tillë, atëherë vetvetiu pyetja që lind është se pse fiken dritat gjatë natës?

Një shkollë me ndriçimin e jashtëm të fikur gjatë orëve të vona të natës, Tiranë

Mbi të gjitha, nëse realisht ato kanë ndikim në kursimin e energjisë, përse nuk ka asnjë kontroll prej Ministrisë ndaj bizneseve të vogla, kur qartësisht shpërdorohet prej tyre energjia (e paguar në masë nga taksat)?

Mbi këto zëra, Ministria vijon të heshtë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore