Lajme

Qeveria e re në Mal të Zi, Mandiç: Negociatat po shkojnë në drejtimin e duhur


Andrija Mandiç

Kryetari i Demokracisë së Re Serbe dhe një nga liderët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të cilët njihen për orientimin e tyre pro ruso-serb – Andrija Mandiç, deklaroi këtë të marte se beson fuqishëm se negociatat për formimin e qeverisë së re malazeze “po shkojnë në drejtimin e duhur”.

Mandiç theksoi se mazhoranca – Lëvizja Evropa Tani, e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – “dëshiron të formojë qeverinë e re nga 30 gushti”, duke shtuar se e njëjta “ka treguar gatishmëri dhe ka hapur derën që partitë minoritare të jenë pjesë e qeverisë”.

Siç thotë ai, do të ishte e rëndësishme që ata të dinë deri të enjten se kush e përbën shumicën parlamentare.

Partia që ai udhëheqë, si dhe koalicioni ku është pjesë, tregon ai, ka marrë një ofertë, me dhjetë pikë/parime, “të cilën e kanë pranuar”.

“Dëgjojmë që disa parti kanë suplemente, por nuk mendojmë se duhet bërë, sepse kjo e prish idenë. Disa do të donin të eliminonin ZBCG përmes inovacionit. Kush ka pasur më shumë vota ka propozuar parimet, ne e kemi pranuar. Ne kemi parime që pushteti do të ndahet në mënyrë të drejtë, bazuar në forcën, pra besimin e qytetarëve”, theksoi ai, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

Çdo eksperiment, sipas tij, “sidomos ai në të cilin harrohet vullneti i qytetarëve, nuk ka rezultuar i suksesshëm”.

“Kur ujërat demokratike janë bërë të turbullta, është më mirë të ktheheni te burimet dhe të veproni si parti në vendet demokratike”, pohoi Mandiç.

Koalicioni ku ai bënë pjesë, bënë me dije Mandiç, nuk ka dalë me kushte për tu bërë pjesë e qeverisë së re, duke shtuar që është e rëndësishme që deri të enjten të dinë se kush e përbën shumicën parlamentare.

“Malit të Zi ka nevojë për një qeveri që të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndryshe, Lëvizja Evropa Tani, që udhëhiqet nga eksperti financiar, Milojko Spajiç, të premten ka nisur zyrtarisht negociatat për formimin e qeverisë dhe propozimi i parimeve për formimin e pushtetit ekzekutiv iu dërgua të gjithëve atyre që u takua me ta.

Ai ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviç-it, si dhe Partinë Demokratike të Socialistëve, që deri para dy muajve udhëhiqej nga ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.

Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – partia e ish-presidentit malazez, Milo Gjukanoviç – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” , me 15 sosh.

Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksi Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.

Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore