Shqipëria

Qeveria akordon 510 milionë lekë për shpenzimet e organizimit të Samitit të Berlinit


Qeveria ka akorduar një fond prej 510 milionë lekësh për shpenzimet e samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, e para herë jashtë vendeve të BE-së.

Ky fond i kalon në buxhetin e miratuar për vitin 2023 Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për përballimin e shpenzimeve të organizimit të Samitit.

Dhe përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1 – Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet fondi prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit në Tiranë të Samitit të Procesit të Berlinit, datë 16 tetor 2023.

2 – Efekti financiar, prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.

3 – Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Agjenda e Samitit

Më pak se një javë e ndan kryeqytetin shqiptar nga organizimi i radhës së një samiti evropian, kësaj radhe në kuadër të Procesit të Berlinit.

Tirana do të mirëpresë të hënën e 16 tetorit samitin e parë të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.

Në metropolin shqiptar pritet të mbërrijnë dy shefat e Bruksel-it zyrtar, Ursula von der Leyen (Presidentja e Komisionit Evropian) dhe Charles Michel (Presidenti i Këshillit Evropian).

Mes të ftuarve kumbon prania e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Samiti do të organizohet te Piramida e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me mbërritjen e të gjithë liderëve dhe fotografisë familjare të parashikuar në orën 11:00, parashikohet që gjysmë orë më pas të ketë një fjalë hapëse.

Kjo, me praninë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, kancelarit Scholz, presidentes von der Leyen dhe presidentit Michel.

Në orën 17:45 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeqeveritarin shqiptar, kancelarin gjerman dhe presidenten e KE-së.

Përmbyllja e ngjarjes do të bëhet me ceremoninë e inaugurimit të Piramidës së Tiranës.

Takimi Rama-Begaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua më herët me kreun e shtetit Bajram Begaj.

Diskutimi mes dy krerëve është përqendruar rreth temave të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë dhe vizitën e Presidentit të Republikës së Francës, Emanuel Macron.

Kjo e fundit shënon të parën vizitë bilaterale e një kreu të shtetit francez në historinë e shtetit shqiptar.

Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, në Tiranë.

Rama ka njoftuar se do të jetë me pjesëmarrjen e gjashtë kryeministrave të rajonit.

Por gjithashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Samiti në Tiranë

Scholz zbuloi në fillim të vitit se samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Kjo, duke shënuar herën e parë që ky organizim do të zhvillohet në një nga kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.

Ambasada Gjermane në Tiranë deklaroi gjatë muajit shtator se qëllimi i Procesit të Berlinit është thellimi i integrimit rajonal dhe udhëheqja e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Kjo përfshin zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë, shkëmbimin rajonal e të rinjve, pajtimin dhe shkencën.

Diplomacia gjermane shtoi se përmes krijimit të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), të rinjtë mësojnë më shumë për vendet fqinje dhe kuptojnë se kanë më shumë të përbashkët sesa ndryshime.

Edhe nënshkrimi i marrëveshjes së roaming-ut është një sukses i Procesit të Berlinit: që nga ajo kohë, ju mund të lundroni pa pagesë në plazh në Mal të Zi dhe të telefononi në shtëpi – kjo vlen natyrisht edhe për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këto janë vetëm dy rezultate, nga të cilat vendet përfitojnë ndjeshëm dhe që përgatisin rajonin për anëtarësimin në BE.

Ndërsa përfitime të tjera janë: mundësi më të mira punësimi; krijimi i një tregu të integruar dhe konkurrues; udhëtim, studim dhe punësim pa kufizime në BP dhe rritje shtesë e PBB në BP me 6.7%.

Procesi i Berlinit

Për rikujtim, Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Por, shenjat e plogështisë së procesit, prodhuan në vitin 2018 një tjetër iniciativë, atë të Open Balkan që para se të pagëzohej zyrtarisht njihej si Mini-Schengeni Ballkanik.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia si themeluese ftuan edhe tri shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor të fillojnë bashkëpunimin derisa vazhdojnë angazhimin drejt BE-së.

Siç ishte prezantuar Open Balkan, shtetet nuk do të ishin të obliguara në marrëveshje multi-laterale, përveç nëse shohin interesa individuale ta përkrahin një propozim të caktuar.

Mundësia do të ishte, që brenda Open Balkan, të nënshkruani edhe marrëveshje të ndryshme dypalëshe, të cilat nuk afektojnë dhe as obligojnë shtetet e treta pjesë të nismës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore