Lajme

Qalaj, Qeverisë: Buxheti s’reflekton në kauzat dhe premtimet që keni dhënë


Ish drejtori i Policisë së Kosovës dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.

Ish drejtori i Policisë së Kosovës dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosrealizimin e projekteve të cilat i ka premtuar, e po ashtu për pretendimet se ka pasur rritje ekonomike.

Sipas tij, buxheti i ndarë s’reflekton aspak në premtimet që ishin dhënë nga Qeveria e Kosovës para dy vite e gjysmë.

“Ky buxhet nuk reflekton në kauza dhe premtimet që ka dhënë Qeveria. Ju si qeveri keni premtuar edhe 160 çerdhe e po ashtu edhe për banimin social, i cili ishte thënë se do të realizohet brenda këtij mandate por që s’është bërë e as nuk kanë nisur”.

“E ku janë premtimet e juaja për banesat për çiftet e reja të sapomartuara”, ka deklaruar Qalaj.

Ai tutje ka pohuar se është e pakuptim që të thuhet se ka pasur rritje ekonomike, kur skema social rritet gjatë gjithë kohës.

“Është e pakuptim të thuhet se ka rritje ekonomike, kur buxheti për skema social po rritet vazhdimisht, investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ultë si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptim të thuhet se ka pasur rritje ekonomike”.

Qalaj, konsideron se Qeveria s’po merret as me moshën e re, prandaj edhe largimi i tyre po ndodh vazhdimisht.

“Në vend që të stimulohen studentet, asistentët e mësimdhënësit përmes projekteve të ndryshme, ata ballafaqohen me ngarkesa për publikime të punimeve shkencore. Shkurt, nga ky buxhet del se pjesa dërmuese janë shpenzime të parapara buxhetore për një moshë sociale, pa asnjë perspektivë të zhvillimit të projekteve ekonomike”.

Deputeti i PDK-së ka pyetur se “ku i kemi investimet dhe planifikimet për komunën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka prezantuar para deputetëve projektbuxhetin e vitit 2024 që është votuar nga Qeveria në vlerë prej 3.3 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore