Shqipëria

Qafë Botë, Sarandë/ Në pranga 45-vjeçari, sekuestrohen 80 kilogramë lëndë narkotike


Policia Kufitare në Qafë Botë, Sarandë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Border”.

Prej tij, është vënë në pranga një 45-vjeçar nga Fieri, i cili tentoi të trafikonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë.

Gjithashtu është sekuestruar 80 kilogramë kanabis dhe një automjet i tipit kamionçinë.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe autoritetet doganore të Qafë Botës.

Bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mund të transportonte një sasi të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, shërbimet e policisë kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip kamionçinë që drejtohej nga shtetasi me iniciale A. A.

Sakaq, në brendësi të kamionçinës u gjendën të fshehura 74 pako me lëndë narkotike kanabis me peshë 80 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Nga ana tjetër, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Policia tregon gjithashtu se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore