Shqipëria

Pse kaq pak bebe?


“Institucioni i familjes në Shqipëri po pëson krizë në fenomenin e lindshmërisë”, ka treguar sociologia Elidona Gega për Albanian Post.

Papunësia, pasiguria në vendin e punës dhe mungesa e subvencioneve sociale nga pushteti vendor dhe jo vetëm janë disa nga shkaqet që ndikojnë në krijimin e familjeve me shumë anëtarë.

Sipas sociologes Gega, angazhimet e përditshmërisë bëjnë që çiftet të mos kalojnë shumë kohë me njëri-tjetrin, duke “ulur kështu dhe përkujdesen familjare”.

Institutit Kombëtar i Statistikave (INSTAT) nga raporti i publikuar në nëntor të 2020-ës, ka treguar një rënie me 4.6% të lindshmërisë në tremujorin e tretë 2020, krahasuar me atë të 2019-ës. Ndërsa numri i vdekjeve ka shënuar rritje prej 25.7%.

Sipas statistikave, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.484 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 143 lindje.

Shtatë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqe, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.

 

Albanian Post i është drejtuar familjes Ferati, në Dibër, e cila përbëhet nga shtatë anëtarë, pesë fëmijë dhe dy prindër.

Të pyetur nëse do të kishin preferuar më pak fëmijë, prindërit shprehen që, pavarësisht shpenzimeve dhe vështirësive ekonomike me të cilët janë përballur gjatë rritjes së tyre, ata “gjithmonë” do të zgjidhnin një familje të madhe, me shumë anëtarë.

Sociologia ka theksuar se “në një shoqëri tradicionale”, lindshmëria vinte si një sjellje shumë spontane.

“Në atë periudhë, rol kryesor në rritjen e lindshmërisë kishte vetë qeveria. Ata lobonin, me anë të disa programeve, deri diku të detyrueshme, për rritjen e popullsisë”, shpjegon Gega.

“Ndërsa sot, në shoqërinë shqiptare moderne, lindshmëria vjen si planifikim mes çiftit”, krahason ajo.

Roberti, fëmijë i vetëm i familjes Hoxha, shprehet se nuk do të preferonte të kishte një anëtar tjetër në familje. Po ashtu prindërit e tij, njëri avokat në profesion dhe tjetri mjek kardiolog, kanë menduar t’i përkushtohen më shumë karrierës se sa krijimit të një familjeje të madhe.

Në një shoqëri moderne, ku roli i gruas është fuqizuar ndjeshëm, sociologia shprehet se, çiftet e reja kanë tendencë të krijojnë një familje të vogël, me pak anëtarë.

“Deri diku roli që ka marrë gruaja në shoqëri ka ndikuar në uljen e lindshmërisë. Gruaja, duke pasur një jetë sociale shumë të ngarkuar, mund ta kalojë në plan të dytë numrin e lartë të lindshmërisë”, ka përfunduar Elidona Gega.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore