Lajme

Pse Izraeli po shkreton jugun e Libanit?


Spektakli i shkretimit në Libanin e Jugut që nga fillimi i përleshjeve ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut tregon shumë për qëllimet e shtetit hebre.

Duke shkaktuar shumë shkatërrime dhe dëme afatgjata, të cilat nuk janë gjithmonë të justifikuara ushtarakisht, Izraeli ka të ngjarë të kërkojë të modifikojë rregullat e lojës që mbizotëronin përpara sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor.

Objektivi duket se është sigurimi i kufirit verior me të gjitha mjetet.

Disa analistë bien dakord ndërkohë se kthimi në status quo–në që ka mbizotëruar në këtë rajon që nga viti 2006 nuk është më i pranueshëm për Izraelin, pavarësisht nga kostoja.

Tani e tutje, ai nuk do të pranojë asgjë më pak se rikthimin, sa më larg kufirit, të Hezbollahut. Krahas objektivave ushtarake që ushtria izraelite po përpiqet të arrijë, po zhvillon në të njëjtën kohë një luftë të një lloji tjetër.

Synon të rrafshojë territorin për të penguar popullsinë të kthehet në shtëpi.

Krahas eksodit të banorëve nga disa fshatra dhe qytete në zonën kufitare, që llogaritet në afro 90 mijë njerëz, që nga tetori i kaluar janë djegur disa milionë metra katrorë fusha duhani dhe ullinj, të cilat sigurojnë të ardhurat kryesore të vendasve.

Çka ka shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike.

Një taktikë lufte sulmuese, e përshkruar si politika e “tokës së djegur”, me qëllim që t’i bëjë vendet të pa jetueshme.

“E njohur për aktet e saj disproporcionale të luftës, ushtria izraelite kërkon të dëmtojë partinë dhe popullsinë që e mbështet atë”, shpjegon Nizar Abdel Kader, strateg ushtarak.

Sipas këtij leximi, ideja do të ishte të ktheheshin banorët, kryesisht shiitë, kundër Hezbollahut.

Ribotim i skenarëve të vjetër?

Arsyet janë të shumta.

Izraeli së pari do të kërkonte të hakmerrej pas dështimit të pësuar në vitin 2006 në drejtim të dobësimit të Hezbollahut në rajonin kufitar.

E së dyti të shkatërronte themelet ushtarake të partisë shiite, ekonominë lokale, banesat dhe burimet jetike, sigurojnë analistët.

Ndaj do të ishte një taktikë e ngjashme me atë të përdorur në Gaza që nga fillimi i Operacionit Al-Aksa Flood.

“Është një skenar i ngjashëm me atë që ndodhi gjatë inkursioneve të ndryshme izraelite në Liban, në vitet ‘70, ‘80 dhe në 2006”, pohojnë gjenerali Abdel Kader dhe Karim Pakradouni, ish-udhëheqës politik.

Një taktikë sot e motivuar nga fakti se Hezbollahu vazhdon të përsërisë se është e paimagjinueshme që të tërheqë luftëtarët e tij nga zona kufitare nga vijnë, si dhe familjet e tyre përkatëse.

“Izraeli ka dashur prej kohësh që rajoni i Libanit të Jugut të çmilitarizohet, ose të ndahet me forcat aleate,” kujton Pakradouni.

Ai aludon për ndërtimin, në prill 1979, të Ushtrisë së Libanit Jugor (SLA) të udhëhequr fillimisht nga Saad Haddad, një oficer i krishterë që dezertoi nga ushtria libaneze, të cilin Izraeli e vendosi në krye të një milicie ndihmëse lokale.

Ky i fundit asokohe kishte shpallur shtetin e Libanit të Lirë në “zonën e sigurisë” që milicia e tij kontrollonte së bashku me ushtrinë izraelite. Sipas Hicham Jaber, një ish-oficer i ushtrisë afër Hezbollahut, “Izraeli po mashtron veten nëse beson se banorët e Jugut nuk do të kthehen në shtëpitë e tyre”.

“Ata e bënin atë gjithmonë pas çdo operacioni ushtarak”.

Vetëm se këtë herë përcaktimi i shtetit hebre duket “i pakthyeshëm”, sipas deklaratave të zyrtarëve në Tel Aviv.

“Izraeli ndoshta do të zgjedhë për një strategji të re”, beson gjenerali Abdel Kader.

Po ashtu ai është i bindur se ushtria izraelite po planifikon një operacion rrufe duke depërtuar në një thellësi prej 30 deri në 40 kilometra në territorin libanez.

Ideja është të krijohet një zonë që shtrihet nga lumi Awali deri në Rachaya al-Wadi, nëpërmjet Jezzine dhe Qaraoun.

Një model që shkon përtej asaj që mbizotëronte gjatë dekadave të pushtimit të brezit kufitar, përpara tërheqjes izraelite në vitin 2000.

“Mesazhi izraelit është i qartë: shteti hebre do të lejojë kthimin e banorëve të Jugut vetëm nëse gjendet një zgjidhje për veprimet e Hezbollahut në lokalitetet kufitare”, tregon strategu ushtarak.

“Ushtria izraelite nuk do të jetë në gjendje të përsërisë përvojën e vitit 2006,” siguron ai.

Megjithatë, kjo tezë nuk mbështetet nga specialistë të tjerë, të cilët thonë se janë të bindur se shteti hebraik nuk ka nevojë as të pushtojë territorin libanez për të shkaktuar shkatërrim, objektiva këto që arrihen lehtësisht falë epërsisë së tij ushtarake, veçanërisht ajrore.

Lufta deri në nëntor?

Gjenerali në pension Khalil Hélou, në kundërshtim me Hezbollahun, nuk e mbështet tezën sipas së cilës izraelitët po kërkojnë të shpërndajnë përgjithmonë banorët e Libanit të Jugut.

“Politika e shkatërrimit të plotë të kryer nga ushtria izraelite është një taktikë ushtarake, objektivi kryesor i së cilës është të ekspozojë luftëtarët e Hezbollahut dhe lëvizjet e tyre”, beson ai.

Sipas tij, “Izraeli e di shumë mirë se Hezb ka raketa me rreze të gjatë, të cilat mund të arrijnë deri në 200 kilometra”.

Edhe nëse luftëtarët e Hezb-it mund të shtyhen përtej veriut të Litanit, efekti shkatërrues i arsenalit të tij do të mbetet i paprekur.

Nëse kjo tezë do të verifikohej, atëherë si synon të garantojë sigurinë shteti hebre, i cili aktualisht po bën një betejë ekzistenciale?

Sipas mendimit të shumë vëzhguesve dhe liderëve politikë, zgjidhja e vetme për momentin do të ishte, aplikimi i rezolutës 1701 në tërësi, e cila nuk është bërë kurrë deri më sot, pasi të dyja palët kanë dështuar në angazhimet e tyre përkatëse, dhe vendosja e ushtrisë libaneze së bashku me forcat UNIFIL.

Në të kundërtën, lufta e acarimit do të vazhdojë.

“Le të mos tallemi: lufta në Libanin e Jugut nuk është e lidhur me konfliktin izraelito-palestinez. Është një konflikt në kufi dhe, si rrjedhim, një luftë që vë SHBA-të, nëpërmjet Izraelit, kundër Iranit, nëpërmjet Hezbollahut”, shpjegon gjenerali në pension Khaled Hamade.

Sipas tij, çka po del gjithnjë e më e qartë është fakti se “ndikimi ushtarak iranian në Liban nuk tolerohet më nga SHBA-të, në emër të stabilitetit në Izrael”.

Ndaj është rreziku për të parë konfliktin të zvarritet deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, të planifikuara për në nëntor.

Marrë nga “L’Orient-Le Jour”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore