Lajme

Pse duhet shmangur mungesa e vitaminës D?


Afërsisht 80 për qind e nevojës për vitaminë D, një grup prohormonesh të tretshëm në yndyrë të përbërë nga pesë vitamina të ndryshme (D1, D2, D3, D4 dhe D5), vjen nga ekspozimi i përditshëm ndaj rrezeve të diellit.

Pjesa tjetër nga të ushqyerit.

Vitet e fundit, izolimi i zgjatur në ambiente të mbyllura për shkak të pandemisë dhe përshtatja pasuese e stileve të jetesës ka komprometuar marrjen e duhur të vitaminës D.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për të moshuarit, të cilët, fiziologjikisht, priren të dalin më pak. Por nga e gjithë popullsia.

Tema është serioze pasi në terma afatgjatë, mungesa e vitaminës D mund të përkthehet në çrregullime dhe patologji të mëdha, duke qenë se nga kjo varet edhe shëndeti i mirë i trupit.

Nëse nuk marrim sa duhet, mund të hasim në të ashtuquajturat “sëmundje të qytetërimit”: çrregullime kardiovaskulare, diabeti, sëmundje autoimune, në raste ekstreme edhe kancer.

Urgjenca e COVID-it ka mbaruar, ngadalë po i kthehemi normalitetit. Dhe sezoni, me motin që ka filluar të stabilizohet, është i favorshëm.

Qëndrimi sa më shumë në natyrë na lejon të ruajmë sasinë e duhur.

Francesca Beretta, biologe nutricionale, shpjegon se vitamina D është shumë thelësore pasi kryen shumë funksione.

“Për shembull, promovon thithjen e kripërave minerale – kalciumit dhe fosforit mbi të gjitha. Dhe gjithashtu rregullon nivelet e kalciumit në gjak, lejon funksionimin e duhur të sistemit skeletor, optimizon atë të sistemit nervor qendror, muskujve dhe zemrës”.

Një mungesë e saj, tek të rriturit dhe të moshuarit mund të çojë në osteomalacia ose brishtësinë e kockave.

“Nuk është një mundësi e largët duke pasur parasysh se mungesa e vitaminës D është shumë e zakonshme, veçanërisht në dimër. Këshilla është që të monitorohet nëpërmjet analizave të gjakut, pasi të konsultoheni me mjekun tuaj”.

Sipas mjekes, burimi kryesor është dielli.

“Ndodh që trupi ynë, duke filluar nga kolesteroli, e sintetizon atë në nivel të lëkurës nëpërmjet një reaksioni që ndodh pas ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Prandaj është e rëndësishme që të kaloni të paktën gjysmë ore në ditë jashtë, me faktorë të duhur mbrojtës”.

Ndërkohë, sipas saj, ushqimet më të pasura me vitaminë D janë më së shumti peshqit, të cilët kanë një përqindje të lartë të acideve yndyrore të pangopura, si Omega 3.

Ushqime të tjera të pasura me vitaminë D, megjithëse në një masë më të vogël, janë e verdha e vezës , kërpudhat, mishi dhe produktet e qumështit.

“Së fundi, meritojnë të përmenden ushqimet e fortifikuara, pra ato ushqime, si drithërat e mëngjesit, në të cilat vitamina D nuk është e pranishme në mënyrë natyrale ose është e pranishme në sasi të vogla, prandaj shtohet”.

Për t’u përgatitur për verën, këshillohet që gradualisht të rrisim konsumin e ushqimeve të pasura me këtë vitaminë, duke u kujdesur që të alternojmë ushqimet e ndryshme.

“Shumëllojshmëria në tryezë bën diferencën dhe duhet të bëhet zakon. Nga njëra anë, ju lejon të merrni të gjithë lëndët ushqyese që janë funksionale për shëndetin e mirë të trupit”.

Sa më shumë të diversifikoheni, sipas mjekes, aq më e madhe është mundësia për të pasur një dietë të ekuilibruar dhe të shëndetshme.

“Nga ana tjetër, ju lejon të mos mërziteni me ushqimin. Ngrënia e të njëjtës gjë pa pushim ju bën që të përballeni me pjatën pa dëshirë në planin afatgjatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore