Lajme

Pse do të shkojë nesër Biden në Izrael?


Presidenti amerikan Joe Biden do të niset në Washington për një udhëtim që do ta gjejë nesër në Izrael dhe më pas në Jordani.

Një vizitë kjo, që shërben për të demonstruar solidaritet me Izraelin, por edhe nevojën për të marrë ndihmë për civilët në Gaza dhe për të reduktuar në minimum viktimat civile.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar më herët se Izraeli dhe SHBA-të “bien dakord të zhvillojnë një plan për të dërguar ndihmë në Rripin e Gazës “dhe se Biden do ta diskutojë atë me Netanyahun.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Admirali John Kirby, ka thënë se vendimi nuk u mor “lehtë”.

“Është një vizitë shumë e shkurtër. Por padyshim që ai nuk do ta bënte këtë udhëtim nëse nuk do të kishim vendosur masat e duhura të sigurisë”, ka shtuar ai.

Vetë Blinken-it iu desh të kërkonte strehim për disa minuta në një bunker së bashku me kryeministrin Netanyahu, gjatë një takimi.

Blinken ka treguar në një konferencë shtypi në ambasadën amerikane në Jerusalem se presidenti do të arrijë “në një moment kritik për Izraelin, për rajonin dhe për botën”.

Dhe se vizita ka pesë objektiva.

Së pari, të riafirmojë solidaritetin me Izraelin dhe angazhim për sigurinë e tij.

Së dyti, dërgon mesazhin e qartë se “askush nuk duhet të përfitojë nga kriza për të sulmuar” shtetin hebre.

Së treti, puna për lirimin e pengjeve.

Së katërti, përditësimi i plotë mbi objektivat dhe strategjinë e luftës së Izraelit.

Dhe së pesti, për të kuptuar se si shteti hebre “do t’i kryejë operacionet e tij në një mënyrë që minimizon viktimat civile” dhe siguron që ndihma të arrijë civilët në Gaza “në një mënyrë që nuk përfiton nga Hamasi”.

Pas një maratone diplomatike në rajon dhe një takimi shtatë-orësh me Netanyahun dhe kabinetin e tij të luftës, sekretari i shtetit ka njoftuar se SHBA-të dhe Izraeli janë “dakord për të zhvilluar një plan që do të lejojë ndihma humanitare nga vendet donatore dhe organizata shumëpalëshe për civilët e Gazës”.

Po ashtu plani mund të përfshijë krijimin e zonave të sigurta për popullsinë.

Diçka kjo, që çdo lider i vendeve arabe që Sekretari i Shtetit ka takuar ditët e fundit ia tregoi atij si prioritet.

Izraeli e ka vendosur Rripin e Gazës nën “rrethim të plotë” duke u përgatitur për një ofensivë tokësore dhe duke lidhur ndihmën me lirimin e 199 pengjeve në duart e Hamasit.

Si erdhi marrëveshja?

Blinken i ka shpjeguar Netanyahut se aksesi i ndihmës shërben për të mbajtur mbështetjen ndërkombëtare për qëllimin e Izraelit për të ‘çmontuar’ Hamasin. Nga ana tjetër, Netanyahu i frikësohet kundërshtimit nga anëtarët e koalicionit të tij qeverisës dhe kritikave nga opinioni publik vendas, por mund t’ia atribuojë vendimin presionit amerikan.

“Është thelbësore që ndihmat të fillojnë të mbërrijnë në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar Blinken.

Ai ka shtuar se SHBA-të “ndajnë frikën se Hamasi do të marrë kontrollin e kësaj ndihme” dhe nëse e bën, do të jetë e para që ta dënojë atë dhe të ndërhyjë për ta parandaluar.

Sakaq, në Jordani, Biden do të takohet me mbretin Abdullah II , presidentin e Autoritetit Palestinez Abu Mazen dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah Al Sisi.

Al Sisi ka thënë në një deklaratë se të dy udhëheqësit kanë rënë dakord që ndihma duhet të arrijë në Gaza, ku situata “duhet të përmbahet” për të shmangur përshkallëzimin në rajon.

Biden gjithashtu ka telefonuar presidentin irakian Al Sudani, i shqetësuar se kriza mund të përhapet në vendin që pret bazat amerikane të goditura në të kaluarën nga milicitë e lidhura me Iranin.

Ka thirrur edhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili do të vizitojë Izraelin dhe Egjiptin këtë javë.

Gjenerali Michael Kurilla, komandanti kryesor i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, ka mbërritur gjithashtu në Izrael dje, për të marrë “një kuptim të qartë të nevojave të mbrojtjes izraelite, me vëmendje të veçantë për të parandaluar aktorët e tjerë nga zgjerimi i konfliktit”.

Ndërkaq, dy mijë ushtarë janë vënë në paralajmërim për ato që Pentagoni i quan detyra “jo luftarake”.

Edhe dy aeroplanmbajtëse amerikane janë dërguar në Mesdheun lindor.

Anija sulmuese amfibe USS Bataan, që aktualisht operon pranë Detit të Kuq, është zhvendosur drejt brigjeve izraelite dhe mund të evakuojë amerikanët, përfshirë ata që mund të largohen nga Rripi i Gazës me një marrëveshje.

Më shumë se një milion palestinezë në Rripin e Gazës, të bombarduar në mënyrë të pamëshirshme nga ushtria izraelite, kanë lënë shtëpitë e tyre ditët e fundit.

Mijëra njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë nga të dyja palët që nga fillimi i luftës, teksa Hamasi ka rrëmbyer 199 pengje sipas Izraelit.

Shqetësimet humanitare në Gaza

Udhëtimi i dytë këtë vit i Biden-it në një zonë lufte këtë mbart disa rreziqe.

Qëllimi i tij do të jetë të tregojë solidaritetin amerikan me Netanyahun teksa përpiqet të shmangë një luftë më të gjerë rajonale që përfshin Iranin dhe aleatin libanez, Hezbollahun, si dhe Sirinë.

Biden dëshiron gjithashtu të shmangë një katastrofë humanitare në Gaza, ku autoritetet kanë thënë se më shumë se 2 mijë e 800 njerëz janë vrarë tashmë nga bombardimet izraelite gjatë javës së kaluar.

Qindra ton ndihma nga disa vende presin prej ditësh në Gadishullin Sinai të Egjiptit, në pritje të një marrëveshjeje për dërgimin e tyre të sigurt në Gaza dhe evakuimin e disa mbajtësve të pasaportave të huaja nga pika e kalimit Rafah.

“Ai do ta bëjë të qartë se ne duam të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët tanë në rajon, duke përfshirë Izraelin, për të siguruar që ndihma humanitare të shpërndahet dhe civilët të mund të dalin të sigurt”, ka theksuar John Kirby, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Vijat e kuqe për Izraelin

Biden dhe Netanyahu, të angazhuar në një partneritet gjatë kohës së luftës, pavarësisht dallimeve të thella politike mbi rrugën përpara në Lindjen e Mesme, kanë bashkuar forcat.

Presidenti amerikan ka ofruar mbështetje të palëkundur për Izraelin, ndërsa ka ravijëzuar nevojën për të shmangur një krizë masive humanitare në Gaza.

Takimi i tyre ballë për ballë, pas disa telefonatave që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit, do t’i lejojë Biden-it të diskutojë privatisht shqetësimet dhe vijat e kuqe të mundshme në pushtimin e ardhshëm të Gazës.

Po ashtu Biden do të marrë informacione për dhjetëra pengjet e marra nga Hamasi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se 29 shtetas amerikanë u vranë në sulmet e Hamasit në Izrael dhe 15 qytetarë dhe një banor i përhershëm ligjor ishin të zhdukur.

Sakaq, Izraeli është zotuar ta asgjësojë Hamasin.

Biden do ta bëjë të qartë se “Izraeli ka të drejtën dhe madje detyrën të mbrojë popullin e tij kundër Hamasit dhe terroristëve të tjerë dhe të parandalojë sulmet e ardhshme”, sipas Blinken.

Sipas tij, Izraeli do ta informojë Biden-in mbi objektivat dhe strategjinë e luftës, si dhe se si do t’i kryejë operacionet “në një mënyrë që minimizon viktimat civile dhe lejon dërgimin e ndihmave humanitare për civilët në Gaza”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore