Lajme

Pse disa ushqime çlirojnë CO2, aq sa një makinë sportive në 8 kilometra?


Ngrohja globale ka qenë tema e diskutuar në Konferencën e 26-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, e cila u mbajt në Glasgow të Skocisë.

Faktor përgjegjës për rreth një të katërtën e emetimeve të gazrave serrë në botë janë edhe ushqimet.

Por disa ushqime janë kontribuues shumë më të mëdhenj se të tjerët.

“Konsideratat më të rëndësishme qё duhet tё merrni parasysh kur blini ushqime janë shmangia e transportit ajror, blerja në sezon dhe të ushqyerit me njё dietë të bazuar në perime”, shkruan Mike Berners-Lee në librin e tij “Sa të këqija janë bananet? Gjurma e karbonit të gjithçkaje”.

Pse këta faktorë kanë një ndikim kaq të madh nё zvogëlimin e gjurmëve tё karbonit nga ushqimet?

Kostot e karbonit në paketimin e ushqimit

Frutat dhe perimet e blera jashtë sezonit zakonisht rriten në një serë të nxehtё, importohen nga një vend ku kanë sezonin, ose ruhen në frigorifer për të zgjatur afatin e ruajtjes.

Produktet, tё cilat nuk rezistojnë dot pёr njё kohё tё gjatё, si domatet dhe luleshtrydhet, shpeshherё rriten në serra.

Ne mund të zvogёlojmё kostot e karbonit, duke i konsumuar ato vetëm në sezon, duke zgjedhur produkte të konservuara, ose pёrmes serrave qё përdorin burime të rinovueshme të energjisë.

Kostot e karbonit te mishi i viçit

Njё kafshё qё rritet nё fermë konverton mesatarisht 10% të kalorive që ha në mish dhe qumësht, sipas Berners-Lee.

Punëtorët përgatisin shpendët në kompaninë e paketimit të mishit JBS, në Lapa, në shtetin brazilian të Paranës

Megjithatё, emetimet e karbonit të mishit mund të ndryshojnë në varësi të vendit dhe mënyrës sesi ai është rritur.

Mishi i importuar i viçit, veçanërisht nga diku si Brazili, ku blegtoria e bagëtive është shkaku kryesor i shpyllëzimit, si për shkak tё mbarështimit tё bagëtive, ashtu edhe për prodhimin e sojës për t’i ushqyer ato, mund të ketë rreth tri herë mё shumё pёrmbajtje karboni sesa viçi britanik.

Shumica e mishit të viçit të shitur në Britani kultivohet nё vend dhe pjesa më e madhe e gjurmës së karbonit vjen nga vetë bujqësia.

Ёshtë e zakonshme në Britani qё bagëtitë tё ushqehen me bar, i cili shpesh zёvendёsohet në dimër dhe shumё toka kullota britanike janë të papërshtatshme për rritjen e të korrave.

Berners-Lee vlerëson se një biftek 8 oz, i papërpunuar nga Britania e Madhe, gjeneron 5.8 kg ekuivalent CO2. Pra, pak më pak se vozitja e pesë miljeve me një makinё sportive.

Megjithatё, e njëjta peshë e biftekut të papërpunuar nga toka e shpyllëzuar në Brazil mund të gjenerojë 17,8 kg, njësoj si të udhёtosh 14 milje, të blesh një palë këpucë të reja lëkure ose të harrosh një dritë ndezur për dy javë.

Kostot e karbonit për prodhimin e ushqimit

Vlen gjithashtu të merren parasysh edhe kushtet klimaterike për prodhimin e një produkti.

Një zonë e djegur nga zjarri pranë Novo Progresso në shtetin Para, Brazil, 20 gusht 2021

Për shembull, portokallet ruhen mirë dhe mund të dërgohen pёr eksport, kështu që gjurma e tyre e karbonit është zakonisht mjaft e ulët.

Por, një litër lëng i freskët portokalli mund të ketë një ekuivalent të CO2 pak më shumë se 6 kg portokall, shumë më tepër se sa duhet për të bërë lëngun.

Arsyet për këtë përfshijnë mbeturinat e pulpës, kërkesat e prodhimit, si pasterizimi i lëngut dhe prodhimi i kartonit, transportimi i tij nga ferma në shtrydhëse frutash e perimesh në karton te distributori dhe ftohja.

“Të gjitha shifrat e mia janë vlerësimet më të mira dhe asgjë më shumë, edhe pse i kam arritur ato me kujdes dhe rigorozitet sa të jetë e mundur”, shprehet Berners-Lee.

Gjurmët e karbonit maten në këtë artikull në ekuivalentin e CO2, shkurt për ekuivalentin e dyoksidit të karbonit.

“Kjo është thjesht një mënyrë për të përshkruar kontributin e përgjithshëm të një objekti ose veprimi në ngrohjen globale, duke marrë parasysh CO2, si dhe gazra të tjerë serrë si metani dhe oksidi i azotit”, shkruan Berners-Lee.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore