Lajme

PSD proteston kundër vizitës së padëshiruar të Trendafilovas në Kosovë  


Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, të mërkurën, do qëndrojë për vizitë në Kosovë. Vizita e saj nuk do të jetë e mirëseardhur për Partinë Socialdemokrate, e cila, ka paralajmëruar organizimin e një proteste, me fillim në orën 14:00 në Hotel Sirius, ndërkohë që gjyqtarja bullgare do të mbajë një takim me përfaqësues së shoqërisë civile në Prishtinë.

PSD po konsideron që Gjykata Speciale është e padrejtë, segreguese dhe raciste, prandaj Gjyqtarja Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë.

Për PSD-në vizita e Trendafilovës ka vetëm një synim – përmirësimin e imazhit të Gjykatës Speciale e cila është në krizë nga mungesa e thellë e legjitimitetit.

“PSD-ja është e vendosur që kjo përpjekje të mos arrijë qëllimin”, shkroi ditë më parë kryetari i kësaj partia, Dardan Molliqaj, ndërsa njoftoi organizimin e protestës.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

Klinaku, ditë më parë, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ndërsa ka kundërshtuar vizitën e saj në Kosovës dhe ka dhënë mbështetje protestës së PSD-së, ka kërkuar që kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë të bëj diçka rreth shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të paraburgosurve.

“Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar nga PSD më datën 29 nëntor 2023, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova”, potencoi ai.

Vizita e Trendafilovës në Kosovë po vjen pak ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar vendosi t’ua pezullojë vizitat dhe komunikimet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte.

Trendafilova, do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë, derisa policia ka bërë të ditur se do të bllokojë disa rrugë në Prishtinë për t’i ofruar siguri Trendafilovës gjatë qëndrimit të saj në Kosovë.

Gjyqtarja bullgare në korrik të vitit të kaluar e kishte anuluar vizitën e saj në Kosovë pas paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate. Ajo kishte planifikuar të takohej me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku me ta do të fliste për punët dhe zhvillimet aktuale në Dhomat e Specializuara.

Pasi ua ndaluan vizitat krerëve të UÇK-së në Hagë, Specialja çon në Kosovë Trëndafilovën për marketing

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore