Gjykata Speciale

Pasi ua ndaluan vizitat krerëve të UÇK-së në Hagë, Specialja çon në Kosovë Trëndafilovën për marketing


Ekaterina Trendafilova

Pak ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar vendosi t’ua pezullojë vizitat dhe komunikimet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte, Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, të mërkurën do qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Trendafilova, do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë, derisa policia ka bërë të ditur se janë bllokuar disa rrugë në Prishtinë për t’i ofruar siguri Trendafilovës gjatë qëndrimit të saj në Kosovë.

Por, kundër kësaj vizite ka dalë Partia Socialdemokratike e Kosovës, e cila ka paralajmëruar edhe një protestë. Madje, kryetari i kësaj partie Dardan Molliqaj, ka kërkuar nga gjyqtarja bullgare që më mirë të kthehet prapa.

“Më mirë do të ishte të kthehej prapa”, sugjeroi ai, duke shtuar se organet e rendit në Kosovë “kanë arsye për ta ruajtur, duke ditur që në Kosovë është e papranueshme dhe revolta ndaj saj është evidente”.

“Trendafilova iu paska ofruar siguri shtesë. Janë thyer protokollet shtetërore sikur ajo të jetë vizitë e ndonjë presidenti nga ndonjë vend i rëndësishëm, e jo kryesuesja e Dhomave të Specializuara – organ që bën diskriminim të vazhdueshëm etnik, racor dhe njerëzor”, ka shkruar ai në Facebook.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, i cili ka kërkuar nga Trendafilova që të bëj diçka rreth shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të paraburgosurve.

‘Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar nga PSD më datën 29 nëntor 2023, për të kundërshtuar vizitën e Ekaterina Trendafilova”, theksoi ai.

Trendafilova në korrik të vitit të kaluar e kishte anuluar vizitën e saj në Kosovë pas paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate. Ajo kishte planifikuar të takohej me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku me ta do të fliste për punët dhe zhvillimet aktuale në Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, në shtator ajo pati ardhur në Prishtinë dhe ishte takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Para emërimit si kryegjyqtare në Speciale, nga marsi 2006 deri në mars 2015, Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatëse Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Para detyrës si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo punoi si profesoreshë e drejtësisë penale në Universitetin e Sofjes, zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje dhe shërbeu si këshilltare eksperte për standardet e të drejtës penale dhe të drejtat e njeriut në Kuvendin, Gjykatën e Lartë dhe disa ministri të Bullgarisë.

Që nga viti 2016, Trendafilova po e udhëheq Gjykatën Speciale, ku po gjykohen si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e UÇK-së.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore