Lajme

PSD-ja mban Kuvendin Zgjedhor – një muaj pas pezullimit nga KQZ-ja


Partia Socialdemokrate

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) këtë të dielë (27 janar) do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, rreth një muaj pas pezullimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa sipas njoftimit për media të PSD-së, kuvendi do të fillojë në ora 11:00 në “Orion Conference Center” në Prishtinë.

KQZ-ja pezulloi PSD-në në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke i dhënë afat 45 ditë për të mbajtur Kuvendin Zgjedhor. PSD-ja udhëhiqet nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dardan Molliqaj, ndërsa ky subjek politik përbëhet kryesisht nga ish-zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

PSD-ja organizon vazhdimisht aksione simbolike kundër partisë në pushtet, posaçërisht mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) dhe gjyqin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë të Holandës.

Gjithashtu, paga bazë, themelimi i një institucion të veçantë të përkujdesjes shoqërore, zvogëlimi i pabarazive e shëndetësia e mirë publike, janë disa nga prioritetet që artikulohen nga PSD-ja, ndërsa nuk dihet ende nëse do të ndryshojë diçka në udhëheqjen e këtij subjekti pas Kuvendit Zgjedhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore