Lajme

Prova më e hershme e operacionit: Skeleti 31 mijë vjeçar që i mungon njëra këmbë


Në një shpellë të largët indoneziane është zbuluar një skelet 31 mijë vjeçar që i mungon pjesa e poshtme e këmbës së majtë.

Ai besohet të jetë prova më e hershme e njohur e operacionit, sipas një studimi të rishikuar që ekspertët janë të mendimit se rishkruan të kuptuarit e historisë njerëzore.

Ekipi i udhëhequr nga arkeologë australianë dhe indonezianë u përplas me mbetjet e skeletit teksa gërmonin një shpellë gëlqerore në Borneo.

Dhe zbulimi i tyre rezultoi të ishte provë e amputimit më të hershëm kirurgjik të njohur, që daton para zbulimeve të tjera të procedurave komplekse mjekësore në të gjithë Euroazinë me dhjetëra mijëra vjet.

Analiza paleopatologjike e mbetjeve zbuloi rritje kockore në pjesën e poshtme të këmbës së majtë që tregon shërimin dhe sugjeron se këmba ishte amputuar në mënyrë kirurgjikale disa vjet përpara varrimit.

Studiuesi Tim Maloney ka thënë se zbulimi ishte një “ëndërr absolute për një arkeolog”.

Maloney ka treguar se natyra e shërimit ka treguar se ishte shkaktuar nga amputimi dhe jo nga një aksident apo sulm.

Para këtij zbulimi, ai ka thënë se është pranuar gjerësisht se amputimi ka qenë një dënim i garantuar me vdekje rreth 10 mij]ë vjet më parë, kur procedurat kirurgjikale përparuan me zhvillimin e shoqërive të mëdha bujqësore.

Dëshmia e mëparshme më e vjetër e një amputimi të suksesshëm ishte një skelet shtatë mijë vjeçar i një fermeri të moshuar nga Franca e epokës së gurit.

Krahu i majtë i ishte amputuar mbi bërryl.

“Ky zbulim ndryshon shumë historinë e njohur të ndërhyrjes mjekësore dhe njohuritë e njerëzimit. Ai nënkupton që njerëzit e hershëm kishin zotëruar procedurat komplekse kirurgjikale që e lejonin këtë person të mbijetonte pas heqjes së një gjymtyre”, ka thënë ai.

Sipas Maloney, kirurgu i epokës së gurit duhet të ketë pasur njohuri të hollësishme të anatomisë, duke përfshirë venat, enët e gjakut dhe nervat, për të shmangur shkaktimin e humbjes fatale të gjakut dhe infeksionit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore