Lajme

Protiç: Ngjarja në Banjë tronditi autoritetin e Vuçiç-it, perëndimi s’e sheh më stabilitetin tek ai


Milan Protiç

Historiani serb, Milan Protiç, ka thënë se me atë çfarë ndodhi në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “e ka minuar dhe tronditur autoritetin e tij dhe fuqitë perëndimore nuk shohin më stabilitet tek ai”.

“Një autokrat i qëndrueshëm, si ai, mund të jetë interesant për perëndimin, por një autokrat i paqëndrueshëm mund të jetë ose një model i përshtatshëm për ta ose një njeri që i ka rënë ziles”, ka thënë Protiç, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Sipas tij, ajo që ishte rekomandimi kryesor i Vuçiç-it, “pra stabiliteti, që do të thotë pushtet absolut në të cilin ai kontrollon gjithçka, nuk është më kështu”.

“E kam të vështirë të besoj se ai ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në ngjarjet në Banjë”, theksoi ai, duke shtuar se në një situatë të kundërt “nuk kemi çfarë të flasim”.

“Megjithatë, reputacioni i tij, nën thonjëza, në botë se ai është burimi i stabilitetit në Ballkan tani së paku vihet në pikëpyetje”, përsëriti Protiç, duke vlerësuar se e gjithë situata “i shkaktoi Serbisë dëme të mëdha dhe jo vetëm për presidentin aktual”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Siç pohon ish-ambasadori i Jugosllavisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “ekziston një shenjë barazie dhe bota e njeh Serbinë përmes një njeriu, kështu që ajo që ndikon negativisht tek ai, reflekton negativisht edhe në Serbi”.

Sipas diplomatit serb, do të ishte e dobishme nëse Serbia “do të arrinte të dilte nga ai rreth vicioz i autokracisë” në një të ardhme të afërt dhe nëse barrën e përgjegjësisë e mbante “ai që pyetet për gjithçka në këtë vend”, pra Vuçiç.

Por, ai ka frikë se kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe se ky dëm “nuk do të prishë marrëdhëniet mes shtetit sovran të presidentit aktual dhe Serbisë si shtet”.

Pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë Heroi Afrim Bunjaku, vendet perëndimore kanë kthyer presionin ndaj Serbisë, derisa është duke u diskutuar edhe për sanksione të mundshme ndaj Beogradit – i cili nuk është distancuar nga sulmi terrorist.

Por, sipas diplomatit serb, një situatë tjetër do të ishte nëse Serbia do të vepronte menjëherë pas ngjarjes, pra që t’i arrestonte dhe gjykonte ata që morën pjesë në këtë ngjarje.

“Kjo mund të ishte arritur nëse, menjëherë pas Banjës, para se dikush në botë të kishte folur për këtë çështje, të arrestoheshin fajtorët kryesorë, të ngriheshin aktakuza dhe të zëvendësoheshin disa njerëz kyç në qeverinë e ngarkuar me sigurinë. Atëherë edhe presidenti edhe Serbia do të vepronin krejt ndryshe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, beson Protiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore