Lajme

Protestës së Sindikatës së Re të KEK-ut i bashkëngjitet edhe Sindikata e Policisë


Ilustrim

Jo vetëm punëtorët e KEK-ut, por edhe zyrtarët e policisë së Kosovës do të protestojnë.

Ndonëse jo direkt, zyrtarët policorë do të përfaqësohen nga udhëheqësit e Sindikatës së Policisë në protestën e organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, për të kërkuar votimin e Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri në një intervistë për EO ka thënë se do të jenë të marrin pjesë në këtë protestë për të përfaqësuar kërkesat dhe të drejtat e Policisë së Kosovës.

“Ne edhe gjatë organizimit të protestave nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kemi marr pjesë si kryesi ekzekutive e sindikatës për të përfaqësuar edhe kërkesat edhe të drejtat e Policisë së Kosovës. Gjithashtu edhe këtë protestë edhe ne si kryesi e sindikatës do ta përkrahim dhe do të jemi prezent si kryesi ekzekutive e sindikatës për arsye se kërkesat e sindikatës së KEK-ut janë edhe kërkesat tona”, tha ai.

Policinë, në këtë protestë do ta përfaqësojnë zyrtarët e sindikatës të cilët treguan se janë në dialog me Qeverinë e vendit dhe në pritje të një përgjigjeje për realizimin e kërkesave të tyre.

“Do të jemi si kryesi ekzekutive, por Policia e Kosovës nuk ka organizuar ende protestë, aktualisht nuk e kemi në agjendë protestën me policinë e Kosovës për arsye se ende nuk i kemi harxhuar gjithë dialogun, pasi jemi në dialog me Qeverinë por kërkesat tona si Sindikatë e Policisë, ende nuk kemi marr përgjigje definitive se këto protesta nuk do të realizohen, dhe nuk e dëshirojë që Qeveria të na kthej përgjigjeje negative për kërkesat që i ka Sindikata e Policisë së Kosovës për të na detyruar edhe ne që të organizojmë një protestë dhe protesta me policinë është krejt n dorën e policisë se a donë me i pa policinë në rrugë apo jo”.

“Ne si kryesi e sindikatës do të jemi pjesë e protestës duke e përfaqësuar edhe Policinë e Kosovës, do të jemi aty për të përkrahur të drejtat e punëtorëve në përgjithësi. Në rast se vërtetë na mbyllen dyert nga Qeveria dhe marrim përgjigjeje negative definitivisht ‘jo’, kjo krejtësisht varet nga Qeveria se a donë t’i ketë policin në rrugë apo jo”, tha Zeqiri.

Protesta e thirrur nga punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës do të mbahet më 16 qershor nga ora 12:00, para Qeverisë së Kosovës.

Protesta e fundit e punëtorëve të KEK-ut, për të njëjtën arsye, tërheqjen e trusti u mbajt më 26 maj të këtij viti.

“Duam paret tona”, ishte një nga parullat e kësaj proteste të cilët nga qeveria lejimin e tërheqjes së mjeteve prej 30 për qind nga fondi i kursimeve pensionale – Trusti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore