Lajme

Propozoi një plan paqeje, zyrtarët ukrainas i përgjigjen Elon Musk


Në përgjigje të sondazhit të Musk, këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak propozoi një tjetër sondazh.

“Ukraina çliron territoret e saj, duke përfshirë Krimenë e aneksuar. Rusia po kalon çmilitarizimin dhe denuklearizimin e detyrueshëm dhe nuk mund të kërcënojë më të tjerët. Kriminelët e luftës i nënshtrohen një gjykate ndërkombëtare”, janë tre pikat e Podolyak-ut.

Për propozimin e Musk ka reaguar edhe Andriy Melnyk, i cili largohet nga posti i ambasadorit në Gjermani.

Ish-diplomati ukrainas i kërkoi Musk që të “vejë në djall” dhe deklaroi se asnjë ukrainas nuk do t’i blejë “katrahurat e Tesla-s së tij”.

Musk bëri një propozim me katër pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Fillimisht, sipas Musk, duhen ribërë zgjedhjet e rajoneve të aneksuara nën mbikëqyrjen e OKB-së.

“Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”, shkruan sipërmarrësi në Twitter.

Së dyti, Krimea zyrtarisht pjesë e Rusisë, siç ka qenë që nga viti 1783, vijon Musk.

Në radhë të tretë, ai propozon që të sigurohet furnizimi me ujë në Krime.

Së fundi, Ukraina mbetet neutrale, shkruan Elon Musk.

Deri më tani numërohen 730 mijë vota në sondazhin e tij virtual – 60 për qind prej tyre nuk e mbështesin propozimin e Musk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore