Lajme

Prokuroria Speciale shënjestron një rast të ri të koduar ‘’Reflektori’’ – 11 persona të dyshuar


Prokuroria Speciale.

Prokuroria Speciale ka shenjëstruar një rast të ri të koduar si “Reflektori”, në të cilin janë të përfshirë 11 persona të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike.

Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK), përmes një komunikate për media.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e Krimeve të Rënda, ku kanë shënjestruar një (1) rast të ri me njëmbëdhjetë (11) persona”, thuhet një njoftim.

“Reflektori”, do të trajtojë kryesisht rastet për blerjen dhe shitjen e narkotikëve.

“Prokuroria Speciale njofton se rasti i shënjestruar është i koduar me emrin “Reflektori”, ku janë të përfshirë njëmbëdhjetë (11) persona, për veprën penale  ‘’Blerja, posedimi, shpëlarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’.

Kryesia e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPRK-së, si dhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Edhe në muajin prill të këtij viti, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, kishte thënë për Albanian Post se janë arrestuar gjashtë persona gjatë aksionit të organeve të rendit kundër narkotikëve.

“Lidhur me operacionin policor të realizuar sot kundër narkotikëve, mund të konfirmojmë se si rezultat i vazhdimit të hetimeve intensive, është arrestuar edhe një person i dyshuar shtetas i Shqipërisë. Numri i të arrestuarve ka arritur në gjashtë persona”, tha Kelani.

Gjatë paradites, policia kishte njoftuar se në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në Fushë Kosovë ka realizuar një operacion, me ç ‘rast ka konfiskuar mbi 56 kilogramë substanca narkotike të llojit marihuanë dhe ka arrestuar pesë persona të dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore