Lajme

Prokuroria Speciale: Janë identifikuar 44 të dyshuar për masakrën e Dubravës, jemi duke vazhduar hetimet


Masakra e Dubravës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, të enjten i është përgjigjur akuzave të deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, për mos-hetim të masakrës së Dubravës, duke konfirmuar se janë identifikuar 44 të pandehur.

Kjo deklaratë e Prokurorisë vjen pasi Dugolli në një konferencë për media kërkoi që “Prokuroria të zgjohet nga gjumi”, për rastin e masakrës së Dubravës.

Në përgjigjen e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se dosja penale është riaktivizuar pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale me të cilin u hoq afati i hetimeve dhe u lejua gjykimi në mungesë. Para kësaj kohe, rasti ishte i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve.

Ndërsa, deri tani, sipas Prokurorisë, janë identifikuar 60 të dëmtuar në rastin e Dubravës.

“Ata janë intervistuar, përfshirë edhe Dugollin”, ka thënë Prokuroria, duke bërë të ditur se deputeti i VV-së u intervistua më 6 nëntor 2013.

Ndër të tjera, janë identifikuar edhe 44 të pandehur që dyshohen për përfshirje në kryerjen e veprës penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Enver Dugolli.

Në lidhje me këtë rast janë identifikuar gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar dhe njëqind (100) dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit, ka bërë të ditur Prokuroria.

“PSRK njofton se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndajë më shumë informacione me publikun”, thuhet në sqarim të PSRK-së.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe njëri na të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Enver Dugolli, ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të nisë hetimet për t’i dëgjuar dëshmitë e atyre që i mbijetuan kësaj masakre, në 23-vjetorin e saj.

Në një konferencë për media të enjten e 19 majit, Dugolli është shprehur se ata që kanë mbijetuar nuk mund ta harrojnë tmerrin që përjetuan para 23 vjetësh, ndërsa ka kërkuar drejtësi nga organet e rendit.

“Prokuroria duhet të zgjohet nga gjumi dhe të dëgjojë dëshminë e këtyre njerëzve. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi. Ne i garantojmë Prokurorisë, asnjë të mbijetuar nuk do të ketë nevojë për statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Të gjithë do të dëshmojnë vetëm të vërtetën”, ka thënë Dugolli.

Masakra në Burgun e Dubravës ka ndodhur nga 19 deri më 22 maj 199. Në Dubravë të Istogut ka ekzistuar burgu famëkeq i Dubravës, ku forcat policore serbe, gardianë e paramilitarë serb prej 19-22 maj 1999 kanë vrarë e masakruar në këtë burg 97 të burgosur shqiptarë, nga viset e ndryshme të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore