Lajme

“Prokuroria të zgjohet nga gjumi”, kërkon Dugolli i mbijetuari i masakrës së Dubravës


Enver Dugolli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe njëri na të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Enver Dugolli, ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të nisë hetimet për t’i dëgjuar dëshmitë e atyre që i mbijetuan kësaj masakre, në 23-vjetorin e saj.

Në një konferencë për media të enjten e 19 majit, Dugolli është shprehur se ata që kanë mbijetuar nuk mund ta harrojnë tmerrin që përjetuan para 23 vjetësh, ndërsa ka kërkuar drejtësi nga organet e rendit.

“Prokuroria duhet të zgjohet nga gjumi dhe të dëgjojë dëshminë e këtyre njerëzve. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi. Ne i garantojmë Prokurorisë, asnjë të mbijetuar nuk do të ketë nevojë për statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Të gjithë do të dëshmojnë vetëm të vërtetën”, ka thënë Dugolli.

Ai ka kujtuar këtë krim të cilin e ka quajtur “të shëmtuar”, përmes planit të përzgjedhjes, transferimit dhe sistematizimit.

“Më 19 maj, NATO sulmoi caqet serbe dhe ne kemi menduar se na kanë sulmuar edhe brenda burgut. Por më vonë doli një videomaterial ku gjeneralët amerikanë e mohojnë se kanë sulmuar brenda mureve. Pas tërheqjes së avionëve të NATO-s, aviacioni serb sulmoi pavionet e mbushura me shqiptarë për t’ia lënë fajin NATO-s”.

“Më 22/23 maj, çmenduria fashiste serbe kreu ekzekutimin masiv. Bilanci tragjik ishte nga 995 të burgosur shqiptarë, vriten barbarisht mbi 120 persona dhe plagosen 185 të tjerë”.

Burgu i Dubravës.

Ai shtoi se nuk mund të harrohet Aleksandar Rakoçeviç, që ishte drejtor i burgut.

“Sot, edhe pas 23 vjetësh, ne të mbijetuarve ende na shfaqen parasysh vrasjet barbare. Edhe pas 23 vjetësh, nuk kemi harruar breshëritë e plumbave. Ne nuk mund të harrojmë se Aleksander Rakoçeviq ishte drejtor burgu. Ne nuk mund të harrojmë fytyrat e venitura të mbi 120 shokëve, por vallë a e bren ndërgjegjja drejtësinë vendore e ndërkombëtare që nuk po bën asgjë?”.

Për presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, ai tha se nuk është distancuar nga mizioritë e Millosheviçit.

“Vuçiç nuk po distancohet as nga politikat e ashpra të Putinit”.

Ndryshe punimet e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës kanë nisur duke kujtuar masakrën e Burgut të Dubravës e ndodhur më 19 maj të vitit 1999, në luftën e fundit.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci deklaroi se masakra e Dubravës ishte një ndër masakrat më të rënda që ka ndodhur në Kosovës.

Ndërsa, në këtë seancë pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për turizmin, Projektligji për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe Projektligjit për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore