Lajme

Prokuroria Speciale e Kosovës shënjestron një rast të shpërlarjes së parasë


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se kanë shënjestruar edhe një rast i cili ka të bëj me veprat penale ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe lidhur me nenin 56 të ligjit  nr. 05/L- 096, Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe  ‘’Mashtrimi kompjuterik, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal’’, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në këtë rast, sipas prokurorisë, janë të përfshirë gjashtë persona.

“Nga ky rast janë sekuestruar para në vlerë prej 1 milion e 546 mijë e 753.93 Euro”, njofton prokuroria.

Ky shënjestrim, bëhet e ditur se u bë pas takimit që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka mbajtur sot me ekipin e përbashkët për zgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe ekipi i përbashkët për zgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda

Më 24 mars, prokuroria kishte shënjestruar edhe një rast në të cilin ishin të përfshirë katër persona.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘’Shpëlarje e parasë’’, ‘’Fajdeja’’, ‘’Detyrimi’’ dhe ‘’Pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare’’.

Ndërsa me 15 mars, ishin shënjestruar dy raste.

Nën dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’ “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim  në prokurim publik”, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte shënjestruar  dy raste në të cilën janë të përfshirë 47 persona.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka thënë për Albanian post se bëhet fjalë për dy raste.

“Në rastin e parë janë të përfshirë njëzetetre (23) persona për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’ “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, kishte deklaruar Lutfiu më 15 mars të këtij viti.

Çka janë rastet e shënjestruara?

“Rastet e shënjestruara” janë raste që kanë qenë si kusht për të pasur drejtësi më efikase te rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë Skënder Musa, avokat, në një prononcim për Albanian Post.

Shënjestrimi i rasteve (track-records) ka qenë kërkesë e Bashkimit Evropian, për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Kjo ka qenë edhe një lloj kushti që asnjë vend në Evropë nuk e ka pas, përveç Kosovës. Gjithmonë ka qenë kusht diskriminues dhe paragjykues për palë të caktuara dhe raste të caktuara. Mirëpo tash nuk mund të thirret Prokuroria Speciale se ka lëndë të shënjestruara dhe të pa-shënjestruara sepse, krimi nëse është kryer është i njëjtë për të gjitha lëndët dhe të gjitha ato kanë të drejtë trajtohen njëjtë para ligjit dhe para gjykatave dhe prokurorive”. ka thënë avokati Musa.

Por, tani ka ardhur koha që kjo “formë e presionit”, sic thotë avokati Musa, të ndërpritet.

“Në bazë të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Kodit të Procedurës Penale, nuk parashihet të përdoret “shënjestrohet” dhe vet emërimi i disa lëndëve me prioritet se lëndët e tjera, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, për palët, ose të akuzuarit në këto raste e pastaj edhe për vetë personat në qoftë së akuzohen apriori apo konsiderohen si fajtorë”.

“Mund të them se Gjykatat, departamenti special, në Kosovës, është duke i trajtuar mirë këto lëndë, nuk po bën dallime të atyre termeve të Prokurorisë Speciale dhe kërkesës nga faktori ndërkombëtare sepse Kodi i Procedurës Penale, Kushtetuta e Kosovës, dhe Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut, ndalojnë çdo diskriminim dhe çdo dallim në mes të qytetarëve të një vendi, në këtë rast të Republikës së Kosovës me lëndë të shënjestruara dhe lëndë të pa-shënjestruara. I ka humb kuptimi këtyre lëndëve”, përfundon Musa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore