Shqipëria

Prokuroria rrëzon kallëzimin e Metës për Autoritetin e Dosjeve


Prokuroria e Tiranës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për disa vepra penale.

Kjo e fundit, ishte kallëzuar më herët nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Sipas njoftimit zyrtar, prokuroria bën me dije se janë kryer verifikimet përkatëse që parashikon ligji proceduarial penal dhe që lidhen në rastin konkret me marrjen e deklarimeve përkatëse në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, të antarëve të AIDSSH-së ndaj të cilëve drejtohet ky kallëzim penal.

“Kallëzuesi ka paraqitur pretendimin e tij mbi rastin konkret, ashtu sikurse të kallëzuarit kanë parashtruar procedurën e ndjekur në një rast të tillë, por dhe procedurën që duhej të ndiqte kallëzuesi në një rast të tillë, ndonëse nga kallëzuesi është çmuar se veprimet e antarëve të AIDSSH-së janë kryer në kundërshtim me ligjin”, shton reagimi i prokurorisë.

Institucioni i drejtësisë sqaron se nuk gjendemi para rrethanave për regjistrimin e procedimit penal, që lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale.

“Pra, ekzistojnë rrethana që nuk lejojnë fillimin e procedimit penal, rrethana këto të parashikuara nga neni 290/1 germa “ç“ të K.Pr.Penale. Sa më sipër, në mbështetje të nenit 291/1/2 të K.Pr.Penale, më datë 21.09.2022 është vendosur mosfillim i procedimit penal”, përmbyllet njoftimi i Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore