Kosova

Prokuroria për aksionin “Brezovica 3”: Tetë të arrestuar, konfiskohen armë, fishekë dhe një veturë


Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dhënë detaje sa i përket aksionit “Brezovica 3” i cili është zhvilluar të enjten e tre marsit me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se janë kontrolluar dhe bastisur 12 lokacione të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Në mesin e të arrestuarve kanë qenë shtatë persona të dyshuar, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisitd he katër pronarë të kompanive ndërtimore.

Mirëpo, gjatë ditës është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar.

“Tetë personat e arrestuar me inicialet A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së”, ‘Dhënia e ryshfetit’, ‘Marrja e ryshfetit’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje, thuhet se gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishek të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefona, në orë dore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se, “ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”.

Që një aksion i tillë është zhvilluar gjatë ditës se enjte për Albanian Post, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente edhe sot ka vazhduar hetime dhe veprime operacionale policore në tri rajone të Kosovës, që ndërlidhen me rastin ‘Brezovica’”, ka thënë Kelani për AP.

Aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona.

Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar.

Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona, ndërkaq në pranga si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit kanë përfunduar ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe Bedri Halimi, kryeinspektor në këtë ministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore