Lajme

Prokuroria në Bosnje ngre aktakuzë kundër Millorad Dodik-ut


Milorad Dodik

Zyra e Prokurorit e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër presidentit të entitetit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, si dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Srpska, Millosh Lukiç, të cilët akuzohen për veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Më 9 korrik, Zyra e Prokurorit e formoi një ekip të përbërë nga tre prokurorë, pasi u publikua dekreti i Dodikut në gazetën zyrtare të Republikës Srpska, në lidhje me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë Schmidt.

Sipas dekretit të Dodikut, vendimet e përfaqësuesit të lartë nuk do të publikohen më në entitetin serb të Bosnjës, e as nuk do të respektohen, si dhe as vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk do të vlejnë në territorin e entitetit serb në këtë vend.

Më 1 korrik, Schmidt i anuloi ligjet anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Schmidt gjithashtu mori një vendim për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale.

Ambasada e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë përkrahi vendimet e Schmidt dhe paralajmëroi se “do të ketë pasoja” për veprimet e Asamblesë Kombëtare të entitetit të Republikës Srpska.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore