Vende

Prishtina në sytë e arkitektëve kosovarë


Ilustrim

Historia e Kryeqytetit të Kosovës, Prishtina, karakterizohet me ndërprerje të thella të zhvillimit.

Gjatë periudhës jugosllave, qyteti u rrit në 20 mijë banorë. Planifikuesit komunistë urbanë dhe ndërmarrjet e mëdha shoqërore ndërtuan ndërtesa banimi për klasën e re zyrtare.

Gjatë kësaj kohe të zhvillimit të hovshëm, parulla e preferuar e vendimmarrësve ishte ‘Ta shkatërrojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë’. Ekipet rinore e shkatërruan çarshinë e vjetër dhe monumente të tjera të kohës.

Ndërtimet ilegale për të cilat fliste Shoqata e Arkitektëve ishin të llojeve të ndryshme.

Pas vitit 1999, në periferi të qytetit u ngritën një numër i vendbanimeve joformale, të ndërtuara në tokë bujqësore dhe ndonjëherë të kyçura ilegalisht në rrjetin e ujësjellësit dhe rrymës.

Shumë qytetarë ndërtuan shtëpi të reja, ose i zgjeruan ndërtesat ekzistuese, pa leje të ndërtimit, duke krijuar kështu ndërtime të pasigurta dhe të shëmtuara.

Ndërtesa të reja komerciale, e sidomos depo të sektorit tregtar, u paraqitën në zona të pa planifikuara për aktivitete komerciale.

As zona historike e qytetit nuk u kursye nga shumëkatëshet e reja dhe moderne, të cilat ndonjëherë ndërtoheshin në vend të objekteve të rrënuara ilegalisht.

Arkitekti dhe inxhinieri kosovar Valdet Osmani, në një intervistë për Albanian post, ka thënë se – si të zgjohesh nga gjumi – në syrin e një arkitekti, Prishtina është e tej degraduar, me plotë ndotje dhe zhurma.

“Një qytet kaosi dhe agresiv që ka ndikim negativ në shëndetin e njeriut. Objekte dhe lagje të shëmtuara dhe të bllokuara pa infrastrukturë adekuate”, ka filluar intervistën për Albanian Post, Osmani.

Të gjitha ndërtimet e pasluftës në Kosovë, janë degradime dhe përfitime të grupeve të caktuara, të cilat janë ngushtë të lidhura me politikanë, gjë që shton dëshirën dhe dashurinë për objektet e vjetra të ndërtuara ara luftës së fundit në Kosovë.

“Çdo gjë e keqe në Prishtinë është e lidhur me krimin e organizuar apo arkitekt, zyrtarë qeverisë, politikan dhe prokurorë e gjyqësor që nuk e kanë luftuar krimin e organizuar në vend”, ka vazhduar më tej Osmani.

Po ashtu, arkitekti thotë se Prokuroria e Shtetit i ka heshtur të gjitha krimet e organizuara që nga paslufta edhe pse ka prova të mjaftueshme për këto krime ndërtimore.

“Krimi më i madh bëhet në planet zhvillimore dhe urbane ku kemi të bëjmë me krim të orkestruar, degradues dhe përfitues”, ka shtuar Osmani.

Por jo të gjitha ndërtimet “vulgare dhe pa plan”, janë të pa përmirësueshme, për këtë arkitekt kosovar. Sipas Osmanit “shtimi i vullnetit profesional dhe politikë” mund të rregulloj shumë gjëra në “fotografinë e kryeqytetit”.

“Por, së pari prokuroria duhet t’i vendos para drejtësisë strukturat e dyshuara kriminale që e kanë shkatërruar Prishtinën, e jo të bëhet pjesë e tyre me mosveprim të qëllimshëm apo nga mosdija”, ka shtuar më tej Osmani.

Ajo çka “nuk mund të prishet më, por mund të modifikohet”, për qëllim të funksionalizimit të lagjeve ekzistuese të kryeqytetit, është modifikimi i hartave zonale, duke intervenuar në “detaje” në secilën lagje.

Osmani vlerëson se Prishtinës i mungon organizimi dhe projektimi i qytetit “si kryeqytet”.

“Rrugët qorre me zona të degraduara dhe mbipopulluara ku vetëm pak shi, e përmbyt dhe dalin në pah dallaveret e të gjitha qeverisjeve të deritanishme”.

Cilat janë mangësitë dhe përparësitë e kryeqytetit të Kosovës?

Sipas Osmanit, po të mos ishte Administrata e Shtetit e vendosur në kryeqytet, nga ky zhvillim që ka, Prishtina do të ishte kryeqyteti më i varfër i Kosovës.

“Kryeqyteti ka shumë mangësi, e vetmja përparësi qëndron së është kryeqytet ku është e përqendruar Administrata Shtetërore, që ka ndikuar dhe vazhdon të ndikoj pozitivisht në Prishtinë”, ka përfunduar intervistën e tij për Albanian Post, arkitekti Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore