Kosova

Prishtina me konkurs ndërkombëtar për monumentin e legjendarit në kryeqytet


Ilustrim

Komuna e Prishtinës – me shumë gjasë – do të shpallë të mërkurën konkurs ndërkombëtar për jetësimin e monumentit të komandantit legjendar të Ushtrisë së Çlirimitare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, njoftoi kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, pas homazheve te shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajaziti, ndërsa vendi shënon 26-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

“Ju e dini që kemi ndarë buxhet edhe vitin e kaluar. Tani kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do t’u kërkohet arkitektëve, artistëve e historianëve, të punojnë së bashku për të prezantuar ide se si do të duket monumenti, por edhe të propozohen lokacionet e përshtatshme për këtë monument”, tha kryetari Rama.

Numri një i kryeqytetit theksoi se monumenti për kryeheroin nuk do të thotë të vendoset domosdoshmërisht në sheshin që mban emrin e komandantit legjendar. Ai konsideroi se monumenti nuk duhet të jetë klasik, por modern, që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe projekton të ardhmen e Kosovës.

Monumenti i legjendarit të UÇK-së, sipas vendimit të Komunës së Prishtinës, në nëntor të vitit 2019, u planifikua të vendosej në hapësirën ndërmjet dy shtatoreve të tjera në sheshin e kryeqytetit – në mes të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova. Por, përkundur premtimeve, nuk u realizua asnjëherë.

Legjendari as këtë vit nuk “erdhi” në Prishtinë, përkundër premtimeve çdo përvjetor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore