Lajme

Legjendari as këtë vit nuk “erdhi” në Prishtinë, përkundër premtimeve çdo përvjetor


Adem Jashari

Në përvjetorin e 68-të të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, dhe 111-vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë, duke marrë për bazë premtimet e politikanëve në fillim të vitit, ishte planifikuar që përmendorja e legjendarit të vendoset në qendër të kryeqytetit, përkatësisht në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, heroi i Kosovës, përkundër premtimeve të politikanëve në çdo përvjetor, as këtë nëntor nuk do të “vijë” në Prishtinë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në prag të Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të këtij viti, kishte premtuar se nëntori i sivjetmë nuk do ta gjente kryeqytetin pa përmendoren e heroit kombëtar të shqiptarëve.

“Pas shumë vitesh pritje më në fund shtatorja e tij po vjen në Prishtinë. Më 28 nëntor, me rastin e 68 vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar, njëkohësisht Ditës së Flamurit dhe daljes publike të UÇK-së, planifikohet që shtatorja e komandantit legjendar të vendoset në zemër të kryeqytetit. Bac, mezi po presim”, kishte deklaruar kreu i PDK-së në shkurt të këtij viti.

Përmendorja e legjendarit të UÇK-së, sipas vendimit të Komunës së Prishtinës, në nëntor të vitit 2019, ishte planifikuar të vendoset në hapësirën ndërmjet dy shtatoreve të tjera në sheshin e kryeqytetit – në mes të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova. Por, përkundur premtimeve, nuk është realizuar.

Një premtim të njëjtë e kishte dhënë edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, nëntorin e kaluar. Ajo nëpërmjet një postimi në platformën “X” vitin e kaluar kishte shkruar se 28 nëntori nuk do ta gjente kryeqytetin pa një përmendore të komandantit legjendar, derisa Prishtina është duke e pritur lapidarin e kryeheroit, nga nëntori në nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore