Lajme

Presidentja – si ministrja e saj – s’e di cilat janë shtetet baltike


Presidentja e Kosovës, Vjosa Omani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk arrinë të dallojë se cilat janë shtetet baltike.

Ajo i referohet Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë si vende baltike duke mos ia qëlluar me asnjërën nga vendet në një postim në rrjetin social Facebook, të cilin e ka edituar hiq më pak se 4 herë.

Në reagimin e saj për situatën në veri, Osmani ndër të tjera ka përmendur edhe vendet baltike, por duke mos përmendur ato të cilat në të vërtetë janë.

Shtetet Baltike, të njohura edhe si Vendet Baltike dhe Republikat Baltike, janë Estonia, Lituania dhe Latvia, por presidentja Osmani i ngatërron ato me shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik; Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Postimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Pasi që postimi i Presidentes u bë mediatik, është këshilltari i saj, Bekim Kupina ai i cili e ka marrë për sipër fajin, duke shkruar se ishte gabimi i tij.

“Ky lëshim gjuhësor-teknik është i imi, porse nuk e zbeh peshën e reagimit në një situatë të ndjeshme si kjo. Prandaj për këtë shkarje unë jam adresa, porse në këtë rast mesazhi është më me rëndësi se sa një lëshim i tillë!”, ka shkruar ndër të tjera Kupina.

Ndërsa rekordin e huqeve në qeverinë aktuale të Kosovës e mbanë Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo ka një listë të gjatë me huqe në llogarinë e saj në Twitter dhe me një ritëm vazhdimisht në rritje.

Ajo në vazhdimësi ka bërë huqe në postimet në gjuhën angleze, por huqe ka bërë edhe me flamujt duke mos arritur t’i dallojë se kënd e përfaqësojnë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore