Kosova

Presidentja në pritje të raportit të KQZ-së për zgjedhjet në Veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Për vendimin për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke pritur raportin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Ne jemi në pritje të raportit nga KQZ-ja”, deklaroi këshillitari për media i Osmanit, Bekim Kupina për Albanian Post.

Ndërsa theksoi se presidentja të enjten e ka shpjeguar procedurën që ndiqet në raste të tilla.

“Bëhet vlerësimi i sigurisë, e pastaj ajo prezantohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas KQZ-ja do të vendosë nëse duhet shtyrë zgjedhjet”, kishte thënë Osmani.

E nëse KQZ vendos për këtë, sipas Osmanit më pastaj do të ftohen në Presidencë për diskutim përfaqësuesit e partive politike e do të arrihet një konsensus për vendimin.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier dhe ai i Gjermanisë Jorn Rhode, kanë kërkuar që zgjedhjet e parapara të zhvillohen më 18 dhjetor në Veri të shtyhen.

Sipas tyre, aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.

Në orën e 23-të të së enjtes, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Vetura u dëmtua shumë dhe një polic u plagos, gjendja shëndetësore e të cilit është stabile.

Ndërsa, të premten është sulmuar edhe një ekip i gazetarëve, për të cilët nga Policia kanë deklaruar për Albanian Post se rasti është regjistruar. 

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

Lista Serbe, si fuqia politike më e madhe nga komuniteti serb, doli nga institucionet me kërkesën që të anulohet vendimi.

Qeveria, pas thirrjeve nga aleatët ndërkombëtarë, pranoi ta shtyjë vendimin, me shpresë se i hap rrugë bisedimeve për zgjidhje përfundimtare,  por serbët nuk u kthyen më në institucione.

Tani është obligim kushtetues që të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore