Sport

Presidenti i West Ham-it: Rice do të largohet, i premtova


Presidenti i klubit të West Ham United, David Sullivan, ka thënë se kapiteni i ekipiet, Declan Rice, ndoshta ka luajtur ndeshjen e tij të fundit për skuadrën, pasi i kishte “premtuar” se mund të largohej këtë verë.

Mesfushori 24-vjeçar anglez është lidhur shumë me një largim nga stadiumi “Çekanët”.

I pyetur nëse triumfi i të mërkurës në Ligën e Konferencës ndaj Fiorentina-s ishte paraqitja e tij e fundit për “Hammers”, Sullivan tha për “Talksport”: “Unë mendoj se duhet të jetë”.

“Ne i premtuam atij se mund të shkonte. Ai tashmë ka vendosë dhe le të shkojë”, tha i pari i klubit të West Ham-it.

Të mërkurën, Rice u bë vetëm kapiteni i tretë i West Ham-it që fitoi një trofe për klubin, duke ndjekur gjurmët e të madhit Bobby Moore, i cili ngriti Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1965 dhe legjendës së klubit Billy Bonds, i cili udhëhoqi “Hammers” në FA Cup në vitet 1975 dhe 1980.

Rice ka bërë 245 paraqitje gjithsej për klubin e Londrës Lindore, duke shënuar 15 gola pasi bëri debutimin e tij gjatë sezonit 2016-17 pasi kaloi në sistemin e akademisë së klubit.

Ai gjithashtu përfaqësoi Republikën e Irlandës tre herë përpara se të kalonte “besnikërinë” e tij ndërkombëtare në Angli, për të cilën ka luajtur 41 herë, duke luajtur në të pesë ndeshjet e tyre në Kupën e Botës së fundit.

Rice aktualisht ka një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin, me “çekanët” që kanë opsionin ta zgjasin atë deri në verën e vitit 2025, duke i lënë ata në një pozicion të fortë për të negociuar një tarifë të konsiderueshme transferimi.

“Nuk mund të kërkosh më shumë nga një njeri që ishte shumë i përkushtuar më shumë ndaj nesh këtë sezon”, shtoi Sullivan.

“Në kohën e duhur, ai duhet të vazhdojë dhe ne duhet të marrim një zëvendësim – ose disa zëvendësime. Nuk është diçka që ne duam të ndodhë. Ne i kemi ofruar atij 200 mijë funte në javë, 18 muaj më parë. Ai nuk e pranoi”, shtoi i pari i ekipit londinez.

“I kushtoi atij 10 milionë funte për të qëndruar në West Ham në atë kohë [në paga të humbura]. Dhe ai dëshiron të shkojë. Ju nuk mund të mbani një lojtar që nuk dëshiron të qëndrojë. Unë mendoj se ofertat do të fillojnë të vijnë sot”.

“Ka tre ose katër klube që kanë treguar interes, por për respekt ndaj West Hami-t, ndërsa ne jemi ende duke luajtur, ju nuk bëni oferta për lojtarë”, tha mes tjerash presidenti i West Ham-it.

Kujtojmë që Arsenal-i ishte klubi që më së shumti po e ndjek mesfushorin e Anglisë, të cilët thuhet se janë të gatshëm të ofrojnë deri në 70 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore