Shqipëria

“Presidenti i ri në dakordësim me PD-në”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të hënën e 1 majit, në një takim me deputetët socialistë, se Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë do të zgjidhet në bashkëpunim me Partinë Demokratike.

Rama mbylli sërish, në mënyrë përfundimtare, mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kështu, duke ritheksuar faktin se mazhoranca, do të marrë hapat e nevojshme për shkarkimin e Ilir Metës, nga posti i presidentit.

“Ilir Meta dhe partia e tij, nuk kanë vend për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Do të ndjekim çdo hap të nevojshëm dhe u bëj thirrje edhe faktorëve të tjerë, të zbatojnë vullnetin e popullit shqiptar, për ta shkarkuar atë”.

Pavarësisht kësaj deklarate, heqja nga detyra e Metës nuk i takon vetëm Kuvendit, por kalon në Gjykatën Kushtetuese.

Dora e bashkëpunimit ndaj Partisë Demokratike, vazhdon të shtrihet ndërkaq nga kryeministri Rama. Ai ka ritheksuar se socialistët janë të hapur të zhvillojnë reforma të rëndësishme me PD-në.

Bashkëpunimi u la i hapur edhe për postin e presidentit, kurdo të jetë ajo kohë. “Qoftë afër, qoftë larg, do të konsultohemi me Partinë Demokratike për zgjedhjen e presidentit të ri”, theksoi Rama.

Si do të vendoset fati i Ilir Metës në presidencë?

49 deputetë socialistë mblodhën firmat për të ngritur një komision hetimor ndaj presidentit Meta. Sipas tyre, ky i fundit ka kryer shkelje të rënda kushtetuese. Kryesisht, ato lidhen me thirrjet në periudhë zgjedhore.

Me 97 vota pro, gjashtë kundër dhe një abstenim, Kuvendi e miratoi këtë kërkesë.

8 maj, u zhvillua edhe mbledhja e parë e këtij komisioni të posaçëm.

Pjesë e këtij komisioni janë nëntë anëtarë. Kryetari do të jetë deputeti socialist, Alket Hyseni. Zëvendëskryetar do të jetë përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq, do të jetë socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarët e komisionit do të jenë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Zëvendësues do të jenë anëtarët Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu.

Një raport i komisionit do të kalojë më pas në Kuvend. Nëse aty miratohet me dy të tretën e votave, pra 94 të tilla, ai shkon në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit ka në dorë qëndrimin apo jo të Metës, në krye të detyrës së presidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore