Shqipëria

“Presidenti i ri”/ Mbyllet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, raundi i parë i votimeve më 16 maj


Mes debatesh u mbyll mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku u miratua data 16 maj për raundin e parë të votimit në orën 17:00.

Ishte kreu Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ripropozoi datën 16 maj për raundin e parë të votimeve për “presidentin e shqiptarëve”.

“Kjo është një datë e përshtatshme dhe brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuta”, u shpreh Balla.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, pas votimit pro bëri të ditur se më 15 maj deri në orën 16:00 është afati për dorëzimin e dokumentacionit të emrave kandidatë.

Gjithashtu në orën 10:00 të 16 majit Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë mbledhjen për shqyrtimin e kandidaturave.

Në votim për miratimin e këtyre datave përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë.

Çfarë u tha në mbledhje?

Kryetarja e Grupit Parlamentar të opozitës Demokraci dhe Integrim, u shpreh se e miraton njërën nga pikat e propozuara nga kolegu i saj Enkelejd Alibeaj – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike – që kandidati për President nuk duhet të ketë të shkuar komuniste.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se përpara se, “të fillojmë të vendosim data të kemi një proces”.

“Duhet të zgjedhim një person që është garant i Kushtetutës. Të gjejmë një person që është mbi palët”, u shpreh Doda.

Deputeti i PD-së dhe zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, në fjalën e tij tha se opozita duhet të ketë rol në këtë proces dhe të propozojë emra për kandidatë.

“Jam deklaruar që opozita ka detyrimin përballë shqiptarëve të nxjerrë emra për President. E djathta shqiptare ka emra dinjitozë sepse pas çdo emri fshihen dhe kritere dhe cilësi. Pavarësisht se qeveria i merr apo s’i merr parasysh, opozita ka detyrimin moral t’i japë një kandidat alternativ vendit për President, theksoi Gjekmarkaj.

Ai e quajti si “procesin më të çuditshëm të zgjedhjes së Presidentit”. Duke vijuar më tej se pavarësisht krizës së brendshme brenda PD-së, ata kanë të drejtën për të pretenduar dhe për të folur për Presidentin.

“Pas kësaj krize, janë mijëra shqiptarë kanë votuar opozitën që do të dëshironin një përfaqësim”.

Duke bërë një krahasim të presidentëve ndër vite, Gjekmarkaj notë pozitive i dha ish-presidentit Alfred Moisiu, ku vlerësoi konsensusin politik të asaj kohe për zgjedhjen e tij.

“Presidenti më i mirë na ka rezultuar ai që është zgjedhur me konsensus politik kur ka pasur një besim mes palëve, asokohe kryeministër Fatos Nano dhe kryetar opozite Sali Berisha për zgjedhjen e Moisiut”, tha Gjekmarkaj.

Ndërsa iu drejtua mazhorancës se çfarë i kërkohet opozitës në këtë proces.

“Nëse na kërkoni kandidatura, na jepni gjatësinë, na jepni ngjyrën, na jepni CV-në, na jepni shkollimin t’ju gjejmë kandidatura të ngjashme. Por që opozita të bëhet fasadë thjesht për tautologji televizive kjo nuk ka vlerë”, ravijëzoi ai.

Deputetja e Grupit Parlamentar të PD-së, njëkohësisht dhe Kryetare e komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Grida Duma, u shpreh e qartë se opozita nuk do të bëhet fasadë.

“Ju shpresoni që do ulemi këtu, do bëhemi noterë të procedurave tuaja, do merrni disa kritere nga ne dhe do t’i përktheni ju, kjo është një gjë që nuk mund ta merrni”, u shpreh Duma.

Alibeaj, në fjalën e tij tha se ky parlament duhet të zgjedhë Presidentin e shqiptarëve.

“E mira do të ishte ta zgjidhnin vetë shqiptarët. Fatkeqësisht nuk e kemi këtë mundësi kushtetuese”, tha Alibeaj.

Me kushtetutën aktuale, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Rruga drejt një presidenti me konsensus të gjerë kalon edhe nga miratimi i opozitës.

Për ta zgjedhur që në raundin e parë duhen 84 vota.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022. Në krye të shtetit që prej 2017-ës është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore