Lajme

Presidenti i Lituanisë shpall gjendjen e jashtëzakonshme


Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Lajmin e ka raportuar agjencia e lajmeve ndërkombëtare “Reuters”.

Nausėda ka deklaruar se ka në plan të dërgojë ushtrinë për të mbrojtur kufijtë e saj, në përgjigje të “shqetësimeve dhe provokimeve të mundshme për shkak të forcave të mëdha ushtarake të grumbulluara në Rusi dhe Bjellorusi”.

Ndërkohë, Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë – e cila kufizohet me Rusinë – i tha “BBC News” se “ne do ta ndihmojmë Ukrainën me të gjitha mjetet që mundemi”, duke përfshirë mbështetjen politike dhe duke dërguar armë.

Kallas shtoi se “duhet të bëjmë gjithçka përkrah Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që ky agresion të mos zgjerohet”.

Ajo ka këshilluar estonezët të qëndrojnë të qetë dhe thotë se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim në kufijtë e Estonisë.

Situata është në një kaos tërësor, ku lajme të shumta po qarkullojnë mbi luftimet që po zhvillohen në Ukrainë.

Ato filluan në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i shpalli luftë Ukrainës dhe urdhëroi të nisin bombardimet.

Ngjarjet përshkallëzuan në mënyrë kritike, teksa forcat ukrainase kanë luftuar dhe është raportuar për mbi 50 ushtarë rusë të vrarë prej tyre.

Po ashtu, edhe nga pala ukrainase, janë vrarë mbi 40 persona. Prej tyre, mendohet se pjesa më e madhe janë ushtarë.

Por, është raportuar edhe për viktima civile.

Lexo ngjarjen e plotë duke klikuar KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore