Sport

Presidenti i FIFA-s dënon abuzimet raciste ndaj sulmuesit të Juventus-it


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka dënuar ashpër abuzimin racist ndaj sulmuesit të Juventus-it, Dusan Vlahovic, në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi me rezultat 0:2 në udhëtim te Atalanta.

Incidentet ndodhën gjatë 10 minutave të fundit të fitores së skuadrës së Massimilano Allegrit në Bergamo, ku abuzimi u përkeqësua vetëm pasi Vlahovic dyfishoi avantazhin në minutën e tetë shtesë të ndeshjes.

Infantino shkoi në profilin e tij në Instagram, ku ndau një deklaratë në anglisht dhe italisht, në të cilën ai u bëri thirrje autoriteteve përkatëse të “sigurojnë që të zbatohen sanksione të rrepta”.

Në deklaratë thuhej: “Futbolli nuk ka asnjë vend për racizëm apo diskriminim të çfarëdo lloji”.

“Është absolutisht e papranueshme të shohësh abuzimin racist të drejtuar nga spektatorët ndaj sulmuesit të Juventus-it, Dusan Vlahovic, gjatë ndeshjes së Serie A kundër Atalanta-s dje”.

“Nuk është një incident i izoluar dhe u bëj thirrje autoriteteve përkatëse të sigurojnë që të zbatohen sanksione të rrepta për të adresuar incidente të tilla dhe të shërbejnë si një pengesë e fortë”.

“FIFA qëndron me Dushan Vlahovici, ashtu siç bëjmë me çdo lojtar tjetër, trajner, zyrtar të ndeshjes, tifoz apo pjesëmarrës në një ndeshje futbolli që ka vuajtur nga racizmi apo çdo formë tjetër diskriminimi”.

“Viktimat e këtyre abuzimeve duhet të mbështeten dhe autorët të ndëshkohen siç duhet nga të gjitha autoritetet”, ka shkruar i pari i FIFA-s.

Kujtojmë që tifozët e Atalanta-s e quajtën “cigan” Vlahovic-in, derisa pasi shënoi golin ai festoi duke i provokuar ata, çka bëri që ndëshkohej me karton të verdhë (e përcaktuar tashmë me rregullore).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore