Lajme

Presidenca e PE-së për Albanian Post: Çmos për liberalizimin e vizave Kosovës


Roberta Metsola, Presidentja e Parlamentit Evropian

Parlamenti Evropian pret që Këshilli i Ministrave ta jep dritën jeshile ndaj liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kështu të paktën thotë për Albanian Post, zëdhënësi i Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Juri Laas, i cili ka potencuar se Parlamenti Evropian do të bëjë çmos që ta shtyjë përpara procesin në fjalë.

“Ne presim që Këshilli të vazhdojë dhe të japë liberalizimin e vizave pa vonesë. Ky është qëndrimi i PE-së dhe ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara këtë”, ka thënë Laas për Albanian Post.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që eurodeputetët janë përkrahës për Kosovën, por Këshilli nuk merr parasysh rekomandimet pozitive të tyre.

Parlamenti Evropian, edhe të enjten e 28 marsit të vitit 2019 me 331 vota pro e kishte miratuar iniciativën e eurodeputetes, Tanja Fajon, për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Megjithatë kosovarët nuk arritën të lëvizin lirshëm në zonën e Shengenit tash e tre vite, për shkak se procesi tashmë kishte mbetur në vullnetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht në Këshillin e Ministrave.

Procesi i liberalizimit të vizave e ngujuar në Këshillin e Ministrave, nuk po ec përpara fal skepticizmit të Francës dhe Holandës, të cilat po thirren në mungesë të luftës kundër korrupsionit në Kosovë dhe rrjedhimisht po hezitojnë që t’i japin Këshillit një mandat për negociuar me parlamentin.

Një gjë të tillë e thotë edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, kishte potencuar se liberalizimi i vizave për Kosovën, nuk pengohet shumë nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pasi sipas tij, ato nuk janë të kënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.

Ilustrim

Liderët politik në Kosovë me vite të tëra kanë premtuar liberalizimin e vizave.

Më 2016, atëbotë ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, festonte liberalizimin e vizave duke hapur edhe shampanjë në zyrën e tij.

Ndërsa në vitin 2019, ishte kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili kishte kumtuar lajmin e bujshëm se kosovarët do të mund të lëvizin shumë shpejt pa viza në zonën Shengen, pasi sipas tij në fund të vitit 2019 Kosova do të pranonte vendimin pozitiv të vendeve anëtare të BE-së, për liberalizimin e vizave.

Por, ngjashëm me vitet tjera, edhe viti 2019 u përmbyll pa liberalizim të vizave.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa lirinë e lëvizjes drejt vendeve anëtare të BE-së.

Dialogu thelbësore për rajonin

Kosova dhe Serbia, sipas zëdhënësit të Presidentes së Parlamentit Evropian, Juri Laas, duhet të kenë angazhim real dhe pa ndërprerje në procesin e dialogut, pasi është e vetmja rrugë drejt integrimit në union.

“Angazhimi real dhe i vazhdueshëm nga të dyja palët është vendimtar për paqen dhe stabilitetin. Është e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Ballkani Perëndimor bën pjesë në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore